Pas fitores me Cagliarin, Ibra: Nëse fitojmë kampionatin…

11/01/2020 21:10

Ibrahimovic u rikthye te Milani pas thuajse 8 sezonesh dhe gjeti golin e parë në ndeshjen e tij të dytë, duke vulosur triumfin e kuqezinjve në transfertën sarde ndaj Cagliarit pasditen e sotme.

Gjiganti suedez u shfaq në formë mjaft të mirë dhe punoi shumë për skuadrën, duke u aprë shpesh të vijë shumë mbrapa për të organizuar manovrën, ndërsa edhe në përfundim të ndeshjes ishte mjaft i lumtur.

“Shënoj, festoj si zot dhe ndihem më i ri. Pioli shqetësohet disi për moshën time, por mendja ime është e njëjta dhe fiziku thjesht duhet ta ndjekë. Kam nevojë për më shumë ndeshje, që të gjej ritmin e duhur, por ndihem mirë gjithsesi. Nëse fitojmë kampionatin, mund edhe të rinovoj me Milanin”, tha me humor gjiganti suedez.

Me ardhjen e Ibrës, Milani modifikoi edhe skemën, duke kaluar në rreshtimin 4-4-2, me sulmuesin suedez dhe Leaon në vijën e parë të sulmit, ndërsa gjithçka duket se shkoi mirë për Piolin, që riktheu skuadrën te fitorja.

“Punuam gjatë javës për këtë skemë të re dhe na shkoi mirë, pasi fituam në një fushë të vështirë. Tani duhet të vazhdojmë kështu, për t’u përmirësuar edhe më shumë. Unë e nisa ndeshjen me disa gabime, por me kalimin e minutave, po ndihesha më mirë dhe përmirësohesha,. Pastaj erdhi goli, që është mjaft i rëndësishëm për një sulmues”, tha Ibra.

Top Channel