Gol në ndeshjen e parë si titullar/ Ibra merr për dore Milanin, fitore me shije Europe

11/01/2020 17:46

Milani u rikthye te fitorja pas rreth një muaji dhe e bëri këtë sërish në transfertë, këtë herë në përballjen ndaj Cagliarit, ku arriti të triumfojë me rezultatin final 0-2, me dy golat e shënuar në pjesën e dytë të takimit.

Trajneri Pioli e nisi sfidën me Ibrahimoviç, Leoa dhe Castillejo nga minuta e parë, ndërsa pas një pjese të parë pa gola, ishte pikërisht djaloshi portugez që zhbllokoi shifrat në fillim të 45-minutëshit të dytë.

Në minutën e 64-t Ibrahimovic u shërbye saktë në zonë nga Hernandez dhe me një qetësi për t’u admiruar, arriti të shënojë edhe golin e dytë për Milanin, ndërsa pak minuta më vonë gjeti sërish rrjetën, por goli iu anulua për pozicion jashtë loje.

Gjithsesi 0-2 mjaftoi që Milani të largohet me 3 pikë nga Sardenja dhe të ngjitet përkohësisht në vendin e tetë me 25 pikë, ndërsa Cagliari është zhytur në krizë rezultatesh, pasi regjistroi sot humbjen e 4-t radhazi në kampionat.

 

Top Channel