Ngoo nuk mjafton, turqit e Alanyaspor mposhtin Tiranën!

08/01/2020 21:15

Tirana mposhtet në miqësoren e parë në tokën turke. Në Belek, skuadra e Emanuel Egbo humbi me shifrat minimale 2-1 ndaj vendasve të Alanyaspor të cilët militojnë në Superligën turke dhe aktualisht pozicionohen në vendin e 6-të.

Një paraqitje pozitive e bardhebluve të cilët e nisën mirë sfidën por u ndëshkuan në minutën e 28-të nga Karaca, i cili kaloi në avantazh Alanyasporin. Në minutën e 62-të Michael Ngoo i ardhur në fushë nga stoli realizoi një gol shumë të bukur me goditje me hark në hyrje të zonës duke barazuar shifrat në 1-1, por barazimi zgjati pak sepse në të 70-ën Campos kaloi sërish në epërsi turqit duke realizuar golin e dytë për Alanyaspor dhe atë të fitores.

Tirana e nisi sfidën me këtë 11-she: Bakaj në portë, Doka, Vangjeli, Muça e Hoxhallari në mbrojtje, Batha e Çelhaka u aktivizuan si mesfushorë me tipare difensive, ndërsa treshja Cale, Torassa dhe Halili ishin në mbështetjet të sulmuesit të vetëm talentit Ernest Muçi.

Në pjesën e dytë Egbo bëri shumë ndryshime dhe një prej lojtarëve që erdhën në fushë nga stoli ishte edhe autori i golit të vetëm Michael Ngoo.

Top Channel