Jozef Stalini qëndorn në këmbë, me veshje ushtarake, me njërën dorë të futur midis kopsave të palltos, te pjesa e kraharorit. Lenini është i ulur aty pranë, me këmbët e kryqëzuara e me një libër në dorë. Ndërsa diku tjetër shfaqet me krahun e zgjatur, duke imituar pozën që kishte marrë kur erdhi në Rusi, në vitin 1917, për të marrë pushtetin.

Ky është Parku Grutas, një lulishte e madhe me statuja, në jug-perëndim të Lituanisë, ku sot mbahen rreth 86 relike të tilla të epokës sovjetike. Parku është krijuar nga Viliumas Malinauskas, një biznesmen vendas, dhe ka shërbyer që në vitin 2001 si shtëpi e këtyre statujave.

Në vitin 1990, kur Lituania shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, qytetarët dolën në protesta dhe rrëzuan statujat e udhëheqësve komunistë. Gjatë këtyre çasteve të nxehta politike, pak prej tyre kishin ngè të mendonin se çfarë do të bënin më pas me monumentet. Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh sot edhe nëpër qytetet amerikanë, ku njerëzit kanë hequr monumentet e Konfederatës (të shteteve jugore që u futën në luftë civile kundër Unionit të veriut, pasi kundërshtuan reformat për heqjen e skllavërisë.) Pas një debati në parlament, Lituania vendosi që statujat do të hiqeshin e do të vendoseshin për t’u ruajtur.

Tani statujat janë në rreth 20 hektarë tokë në parkun Grutas, të ndara sipas roleve që kanë pasur figurat gjatë periudhës sovjetike. Sfera Totalitare quhet zona ku mbahen mendimtarët dhe udhëheqësit kryesorë të ideologjive; Sfera e Kuqe është zona me statujat e heronjve që kishin qenë pjesë e rezistencës kundër nazistëve; Sfera e Vdekjes është zona ku tregohen mënyrat gjakatare të përdorura nga regjimet për të ruajtur pushtetin.

FOTO GALERI
25/25

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA