Orsolini shënon supergol në shtesë dhe i prish debutimin Iachinit

06/01/2020 17:23

Një gol i Riccardo Orsolinit në minutat shtesë i prishi debutimin Giuseppe Iachinit në stolin e Fiorentinës, me skuadrën vjollcë që nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në transfertën ndaj Bolognës në “Dall’Ara”.

Fiorentina e nisi mjaft mirë takimin dhe arriti të gjejë golin e avantazhit që në minutën e 25-të me anë të Marco Benassit, ndërsa Bologna u shfaq kërkuese veçanërisht në pjesën e dytë, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare.

Megjithë presionin e vendasve, rastet më të mira për shënim i patën sërish miqtë nga Firence, që fillimisht me Chiesën dhe më pas me Dalbert patën mundësi të dyfishojnë avantazhin, por nuk u treguan të saktë në zgjidhjen e situatave.

Në fund arbitri akordoi 5 minuta shtesë dhe në një faull në pozicion të prirët me portën, Riccardo Orsolini befasoi të gjithë, mes tyre edhe portierin Dragowski, me një gjuajtje në trekëndëshin e shtyllës së parë, duke e dërguar topin në rrjetë.

Festë në kampin emilian, që shmangu humbjen në minutat shtesë dhe dëshpërim e protestë në stolin e Fiorentinës, me Iachinnin, që pretendoi se goditja duhej të nisej me dy takime dhe jo të ishte e drejtpërdrejtë.

Top Channel