Nicola e ul në stol, agjenti i Radu: Mund të rikthehet menjëherë te Interi

06/01/2020 19:29

Pas një sezoni e gjysmë te skuadra e Juventusit, Mattia Perin u rikthye te Genoa dhe trajneri Nicola i dha menjëherë fanellën e titullarit, duke e quajtur zgjidhjen e tij si definitive, por ky vendim i ka lënë një shije të hidhur portierit rumun Ionut Radu.

Ky i fundit luan prej një viti e gjysmë si titullar dhe ka qenë nga më të mirët te Genoa, ndërsa tani i është hequr edhe mundësia për të dueluar, ndaj po mendon seriozisht rikthimin te Interi, skuadër që ka edhe pronësinë e kartonit të tij.

Menaxheri i 22-vjeçarit rumun, Oscar Damiani sqaroi situatën në një intervistë për mediat italiane, duke konfirmuar se shumë shpejt do të ketë një takim për të vendosur për të ardhmen e Radu.

“Ionut luan prej kohësh titullar dhe ka qenë nga më të mirët në fushë, por tani i është hequr e drejta edhe për të garuar për një vend titullari, pasi vendimi i Nicolas ishte i qartë. Ai është në pronësi të Interit, por në huazim te Genoa deri në fund të sezonit, megjithatë këto ditë do të kemi një takim tre palësh për të vendosur më të mirën. Nuk përjashtohet as një rikthim i menjëhershëm i Radu te Interi”, deklaroi Damiani.

Portieri rumun është rritur në akademinë e klubit të Interit dhe pas shpërthimit te Genoa, klubi zikaltër po planifikon pikërisht 22-vjeçarin si pasuesin e denjë të kapitenit Handanovic.

Top Channel