Martini: Skuadra po punon mirë, nuk nxitohemi në merkato

06/01/2020 22:12

Teuta ka nisur mini fazën përgatitore për të vendosur energjinë e duhura në muskuj, në mënyrë që në pjesën e mbetur të sezonit të mos ketë mangësi fizike. Një periudhë e shkurtër, por që vlerësohet maksimalisht nga trajneri Edi Martini.

“Normalisht jemi në ngarkesë, të cilën e kemi filluar në datën 3, pas 4 ditësh pushim. Përveç Kuros, që ka probleme në gju, të tjerët janë shumë mirë dhe madje edhe kushtet i kemi shumë të mira. Djemtë po punojnë shumë dhe mirë, gjë që më jep garanci dhe shpresë për të ardhmen”, tha tekniku shkodran për SuperSport.

Merkato e janarit përgjithësisht është e vakët, megjithatë Teuta ka nevojë për përforcime, por Martini mendon se nuk është nevoja për t’u nxituar.

“Po kërkojmë dhe them se jemi në rrugën e duhur. Kam kërkuar që të mos ngutemi, por të arrijmë të afrojmë lojtarë cilësorë, që të na shërbejnë”, tha Martini.

Tekniku shkodran e drejtoi skuadrën në dy ndeshjet e fundit të 2019-ës duke siguruar 6 pikë, ndërsa vlerësimi i 45-vjeçarit duke u bazuar tek ato dy takime është maksimal.

“Për ato dy ndeshje jam mjaft i kënaqur, pasi djemtë punuan edhe në stërvitje, por edhe në ndeshje, duke treguar një grintë të jashtëzakonshme”, tha Martini.

Sa u përket objektivave të klubit durrsak dhe parashikimit se në çfarë vendi të renditjes e shikon Teutën në fund të sezonit, Edi Martini tregohet mjaft i matur.

“Do të flasim sërish javë pas jave për këtë çështje”, deklaroi Martini./Supersport.al

Top Channel