Bregu: Dua të provohem në Europë, Skënderbeut i ka munguar vazhdimësia

06/01/2020 19:31

Dejvi Bregu është një nga futbollistët më shumë të kuotuar për të ndryshuar skuadër në muajin e parë të 2020-ës. Kontrata me Skënderbeun i përfundon në qershor dhe si lojtari po ashtu edhe klubi janë të interesuar për një lëvizje të mundshme. Vetë vlonjati konfirmon për Supersport dëshirën për të provuar aftësitë e tij në një kampionat më cilësor.

“E vërteta është që klubi ka pasur kontakte, ndërsa mua si profesionist më takon të stërvitem rregullisht dhe të lë klubin të vendosë të ardhmen time. Edhe pak muaj më ka mbetur në kontratë dhe besoj se shumë shpejt do të ketë një zgjedhje. Nuk besoj se ka ndonjë lojtar që nuk dëshiron të provohet në një kampionat të huaj, Për më tepër dua të di edhe deri ku mund të arrij me cilësitë që kam, pork jo do mirëkuptim dhe ndihmë edhe nga klubi”, deklaroi sulmuesi.

Bregu në 17 ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon ka realizuar 3 gola, duke fituar edhe dy penallti, megjithatë 24-vjeçari nuk e sheh me entuziazëm performancën e tij.

“Në planin personal mund dhe duhet të jepja më shumë, por futbolli është i tillë. Unë kam bërë maksimumin, ndonëse disa herë kam mundur të lë shenjë dhe herë të tjera jo, megjithatë shpresoj që të kem mundur të ndihmoj sadopak skuadrën”, tha Bregu.

Skënderbeu e mbylli në vendin e 8-të, ku paraqitjet pozitive u alternuan me performnca nën ritëm, ndërsa sulmuesi analizon aspektet negative të pjesës së parë të sezonit.

“Është e vërtetë që shumë herë kemi bërë ndeshje shumë të mira, edhe përballë kundërshtarëve me emër, por na ka munguar vazhdimësia dhe kjo nuk na falet. Të njëjtën dëshirë që kemi treguar ndaj Kukësit, duhet ta kishim ndaj çdo kundërshtari”, tha sulmuesi.

Nëse qëndron tek Skënderbeu, atëherë Dejvi Bregu i ka idetë e qarta se deri ku mund të mbërrijë skuadra bardhekuqe.

“Për mendimin tim, kjo skuadër duhet të renditet në katërshen e parë të renditjes dhe të zërë një vend në zonën europiane, që është edhe synimi I klubit. Mund të arrinim më shumë, nëse do kishim nga fillimi emra si Jashanica e Muzaka”, deklaroi Bregu.

Top Channel