Partizani kampion dhe përurimi i “Air Albanias”, pikantet e futbollit shqiptar gjatë 2019-ës

31/12/2019 16:22

Gjatë vitit 2019 ndodhën ngjarje të rëndësishme në futbollit shqiptar, ku ndër më kryesoret është shpallja e Partizanit kampion i Shqipërisë pas thuajse 3 dekadash. Plot 26 vite pritje për të kuqtë për t’u ngjitur në majën e Olimpit të futbollit shqiptar.

Meritë e padiskutueshme e futbollistëve të kuq, stafit teknik me në krye Skënder Gegën, sigurisht edhe e drejtuesve të lartë, që ditën të menaxhonin si duhet situatat, duke marrë më të mirën nga një grup që në fillim të sezonit nuk mendohej se do të fitonte kampionatin.

Të kuqtë e siguruan titullin e 16-të më histori në mënyrën me spektakolare, duke mposhtur 1-2 Tiranën në derbi, disa javë para mbylljes së sezonit. I pakuptimtë në njëfarë mënyrë largimi i Skënder Gegës, i cili nuk e rinovoi kontratën. Vendin e dytë në kampionat e zuri Kukësi, ndërsa Teuta e treta. Kupën e Shqipërisë e fitoi Kukësi, që mposhti 2-1 në finale Tiranën, ndërsa skuadra e katërt që fitoi të drejtën për të luajtur në Euopë ishte Laçi, pasi Skënderbeu ishte pezulluar nga UEFA ndërsa Flamurtari nuk mori licencën për ndeshjet ndërkombëtare. Kamza dhe Kastrioti ranë nga Kategoria.

Ecuria e dobët e skuadrave shqiptare në Europë

Partizani, skuadra shqiptare pjesëmarrëse në Champions, qe i pafat që në short. Të kuqtë u përballën në raundit e parë kualifikues me Qarabagun, duke barazuar 0-0 në Tiranë dhe humbur 0-2, vetëm në minutat e fundit, në transfertë. Në raundin e dytë, skuadra e drejtuar nga Franco Lerda u përball me Sherifin e Tiraspolit, që fitoi 0-1 në Tiranë dhe barazoi 1-1 në Moldavi.

Kukësi u eliminua që në raundin e parë të Europa League-s nga Debreceni, që fitoi 3-0 në Hungari dhe barazoi 1-1 në “Elbasan Arena”. Të njëjtin fat pati edhe Laçi, që mori një barazim të vyer në shtëpi 1-1 me Hapoel Beer Shevan, por humbi 1-0 më Izrael. Paraqitjen më të dobët e bëri Teuta, që kishte ndoshta më shumë fat më short. “Djemtë e Detit” u eliminuan nga Ventspils me rezultat të përgjithshëm 3-1.

Kombëtarja e nis dhe e mbyll me humbje, jashtë Euro 2020

Viti 2019 ishte plot luhatje për Kombëtaren e Shqipërisë, e cila nuk ia doli të kualifikohej në finalet e Euro 2020, pasi u rendit në vendin e katërt në Grupin H kualifikues pas Francës, Turqisë dhe Islandës, duke lënë pas vetëm Andorrën dhe Moldavinë. Kuqezinjtë i nisën eliminatoret me humbjen 0-2 në “Loro Boriçi” me Turqinsë dhe i mbyllën me të njëjtin rezultat, me humbje, në “Air Albania” kundër Francës. Në total katër fitore, një me Islandën, dy me Moldavinë dhe një me Andorrën, një barazi i turpshëm me Andorrën dhe pesë humbje.

Ikën Christian Panucci, vjen Edy Reja

Christian Panucci, i emëruar në krye të Kombëtares në korrik të vitit 2017, u shkarkuar nga detyra pas humbjes me Turqinë në ndeshjen e parë kualifikuese të Kombëtares. Rezervat e akumuluara ndaj italianit gjatë ndeshjeve të Nations League e mbushën kupën pas dështimit që në sfidën e parë kualifikuese të Europianit, që ishte një goditje e rëndë që në start për objetivat e kuqezinjve. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, emëroi në vend të Panuccit Edy Rejan, që përtej disa shkëndijave që dha skuadra sidomos me fitoren ndaj Islandës në “Elbasan Arena” dhe me humbjen e pamerituar ndaj Turqisë në transfertë, nuk ia doli të përbushte pritshmëritë. Gjithsesi, Reja mori votëbesimin e presidentit Duka për ta vijuar projektin e tij në krye të kuqezinjve.

“Air Albania”, një stadium modern për futbollin shqiptar.

Një ngjarje shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar në vitin që lamë pas ishte edhe përurimi i impiantit të ri të kryeqytetit, i ndërtuar në truallin e “Qemal Stafës”, “Air Albania”. Me një kapacitet prej thuajse 22 mijë vendesh, ky stadium modern u përurua në ndeshjen e fundit eliminatore përballë Francës (0-2), ndërsa më 13 dhjetor hapy dyert për derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana 1-2, duke i dhënë tjetër dimension Kategorisë Superiore.

Top Channel