Ligji shqiptar për shëndetin riprodhues ka një nen që parashikon përgjegjësitë e një dhuruesi të spermës ose të vezëve.

– Dhuruesi duhet të jetë i shëndetshëm ose pjesë e një çifti që ka riprodhuar fëmijë të shëndetshëm.
– Në rastin e dytë ai duhet të marrë më parë miratimin me shkrim edhe të anëtarit tjetër të çiftit marrës. Nga ana tjetër duhet të miratojë më shkrim procedurën përpara ndërhyrjes.
– Dhuruesi duhet të jetë anonim.
– Në rastin e një RMA me një donator të tretë nuk ekziston më asnjë lidhje midis dhuruesit dhe fëmijës së lindur nga ky akt. Asnjë akt përgjegjësie nuk mund të ushtrohet ndaj donatorit.

Ky ligj merret vetëm me rastin kur ata që kërkojnë fëmijët janë çift, burrë e grua. Por nuk parashikon asgjë për rastet kur porosinë për fëmijë e bën një grua e vetme. Ose një mashkull i vetëm. Pra ligjit i mungon aspekti i prindërimit solo.

Në vendin tonë një fëmijë kur lind në maternitet mund të regjistrohet pa emrin e babait. Por vetëm për rastet kur mashkulli refuzon të marri atësinë e fëmijës.

“Kur një grua lind dhe nuk ka një mashkull që të marri atësinë e fëmijës regjistrohet vetëm nëna”, – tregon Lindita Aliçka, Gjendja Civile, Maternitet

Por në këto raste fëmija kur të rritet ka të drejtë ta hedh në gjyq babain biologjik për njohje atësie. Dhe me analizat e ADN vërtetohet gjithçka. Ndërsa në rastin e fëmijës me spermë të dhuruar nëna e ka dënuar fëmijën përjetësisht të mos e njoh babain e vet.
“Në rastin e një babai që nuk don të jape atësinë, ligji parashikon që fëmija të ngrejë padi kundrejt tij. Por në rastin se flasim për donacionet, fëmija nuk do i jepej kurrë mundësia të njihte babain e tij, sepse donacionet mbrohen me ligj për të dhënat personale, dhe ato kurrsesi nuk mund të shpërndahen.

“Nesër fëmija mund të kërkojë se kush është babai im? As nëna e vet nuk e di se kush është. Janë ca gjëra që duan kujdes për tu bërë”

Por këtu nuk ngelen pa faj edhe klinikat private që e ofrojnë këtë shërbim.

E njëjta situatë paraqitet kur kemi një baba që dëshiron të bëhet prind. Ai blen vezën tek një bankë në Evropë, jep edhe spermë ne vet për tu ngjizur fëmija dhe pastaj merr një nënë surrogato që ta rris fetusin në mitrën e saj.
Edhe në këtë rast kur të lindi fëmija nuk do të dijë se cila është nëna e tij biologjike. Ndërkohë nëna surrogato nuk mund të mbajë përgjegjësi për çdo fëmijë që ajo lind për të tjerët. Pra i mohohet një fëmije e drejta për të njohur nënën e tij.

Top Channel