Në brezin kufitar të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, zona kufitare Glloboçicë, u realizua një ushtrim i përbashkët operativo-taktik i koduar “Potera-Ndjekja”.
Qëllimi i këtij aksioni ishte përndjekja dhe ndalimi i një grupi kriminal i cili pasi kryen krimin ka mundësi ikje në të dy anët e kufijve.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ishte i pranishëm në këtë ushtrim, tha se përgatitje të tilla nga të dy vendet ofrojnë siguri kufitare.
“Dy porositë besoj nga dita e sotme vlejnë për të gjithë në, që Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë besim në njëra-tjetrën, popujt tanë, ekonomia, shteti, që rendin dhe ligjin do ta ruajmë bashkë dhe kriminelët e rreziqet do t’i përballim bashkë. Ne i gëzohemi sukseseve të Republikës së Maqedonisë, suksesi drejt NATO-s dhe ne kemi aspiratat tona si Kosovë dhe porosia e dytë është siguria në rast të liberalizimit të vizave në Kosovë që do të thotë se kufijtë janë të sigurt, s’ka mundësi që kriminelët të lëvizin mes vendeve tona, qytetarët duhet të kenë të drejtë të lëvizin të lirë, qytetarët e Kosovës edhe këtë fundvit nuk janë të lirë të udhëtojnë në Evropë dhe në familjen evropiane. Duke iu falënderuar për profesionalizmin e juaj, sot vërtet ju falënderoj qe e bëni të sigurt jetën e dy shteteve”, tha Haradinaj.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë Oliver Spasovski, u shpreh i kënaqur që kishin rastin të dëshmojnë gatishmërinë që kanë Republika e Kosovës dhe Maqedonia e Veriut për të reaguar në rast të ndonjë aksioni kriminal.
“Dua të shpreh kënaqësinë time që sot kishim rastin të dëshmojmë këtë përgatitje tonë taktike, përgatitjen teknike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Kjo dëshmon se dy forcat policore treguan gatishmëri të lartë për ballafaqimin e çdo lloj sulmi në kufi. Në këtë mënyrë garantojmë stabilitetin e dy shteteve. Ne dëshmuam se jemi thellë të përgatitur dhe jemi faktor i stabilitetit në këtë rajon”, tha Spasovski.
Ai tha se Kosova dhe Maqedoni janë të përgatitura të punojnë së bashku, për ruajtjen e sigurisë së të dyja vendeve.
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë Ekrem Mustafa, tha se të dy vendet sot dëshmuan se i plotësojnë kriteret e komisioneve evropiane, e që janë ruajtja e detyrës dhe kufirit shtetëror.
“Ju falënderoj për ushtrimin, i cili dëshmoi se të dy shtetet tona janë të vullnetit të mirë dhe i plotësojnë kriteret që komisionet evropiane i kërkojnë për ruajtje të detyrës. Me këtë ushtrim keni dëshmuar se kriminelët nuk kanë vend në këto dy shtete. Këto dy shtete kanë treguar vullnet bashkëpunimi, i cili na mundëson lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe gjithë regjionit”, u shpreh Mustafa.
Drejtori i Policisë së përgjithshme të Kosovës Rashit Qalaj tha se ky aksion i përbashkët dëshmon bashkëpunimin që ka Policia e Kosovës me Policinë e Maqedonisë.
“Ushtrimi i sotëm buron nga ligji i policisë, nga detyrat e policisë për mbrojtjen e jetës, pasurisë, kufirit shtetëror dhe ky ushtrim tregon edhe një vlerë të shtuar bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Maqedonisë, në fakt është ushtrimi i dytë që po realizohet në këtë vit dhe i dyti që dërgon mesazh që polici pavarësisht ku punon ka detyrë ta mbrojë popullin. Është obligim i drejtorëve të koordinojë grupet dhe të krijojnë siguri. Aty ku ka siguri, ka zhvillim ekonomik”, tha Qalaj.
Ai u zotua se do të vazhdojë bashkëpunimi i të dyja vendeve edhe në të ardhmen sa i përket aspektit të sigurisë dhe se janë të gatshëm të reagojnë në rast të ndonjë aksioni kriminal në Kosovës ose Maqedoninë e Veriut.
Drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Tashevski, tha se ky angazhim i të dy shteteve per mbrojtjen e kufijve dëshmon gatishmërinë për bashkëpunim.
“Kam kënaqësi qe sot isha prezent në këtë aksion, ku në këtë aksion u dëshmua ballafaqimi me sfidat, dhe arratisjen e personave të dyshuar. Më lejoni me këtë rast t’ju uroj për realizimin e suksesshëm të këtij ushtrimi taktik …Ky angazhim i përbashkët është dëshmi i një bashkëpunimi të mirë të sinqertë që reflekton raporte për dy vendet tona,” tha ai.
Ndryshe, për të gjitha njësitë e përfshira në këtë ushtrim në mes Kosovës dhe Maqedonisë u ndanë mirënjohje./Q.Rexhaj/kOSOVAPRESS
Top Channel