Pas Altin Dumanit, i ka ardhur radha Arben Krajës që të intervistohet nga SPAK për garën e drejtuesit të SPAK.
Kraja paraqiti vizionin e tij para KLP: “Jam i ndërgjegjshëm për punën që na pret për ngritjen dhe efektivitetin e kësaj strukture. Kam eksperiencë drejtimi e cila garanton suksesin tim në drejtim të institucionit. Drejtuesi do të ketë eksperienca manaxheriale, njohuri administrative, financiare. Kam bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare për draftimin per sekuestro parandaluese, për imunitetin e zyrtarëve të lartë. Kërkoj besimin e KLP për të drejtuar këtë institucion të ri ku të vë në praktikë aftësitë e mia drejtuese. Kam punuar me asistencën ndërkombëtare për draftet e para për funksionimin e SPAK dhe ngritjen e BKH. Publiku të informohet në kohë për fillimin e hetimeve dhe për rezultatet e hetimeve. Do të kemi 2 seksione: kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë”.
Por si do e përballojë Kraja presionin e një shoqërie ku të gjithë i njohin të gjithë?
“Kemi dështuar në ndëshkimin e korrupsionit në nivel të lartë ose krimit të organizuar. Situata është shqetësuese. Nga pamja ligjore jemi të mbrojtur, duket zbatimi korrekt i ligjit në praktikë. Pavarësia e prokurorëve do të garantoje suksesin e këtij institucioni”, tha Kraja.
I pyetur se si do t’i plotësojë dy vendet e tjera bosh në SPAK, Kraja tha: Nga 15 prokurorë që ka caktuar KLP për nisjen e SPAK kemi vetëm 8. Kemi 2 mundësi ligjore për plotësim: drejtuesi mund të caktojë një prokuror të përkohshëm që plotëson kriteret për të ushtruar veprimtari në SPAK. E dyta, drejtuesi i SPAK mund të kërkoje PP prokurore për një detyrë specifike në SPAK. E treta është shpallja e vendeve vakante në SPAK nga KLP”.
Ndërsa se çfarë do bënte ndryshe nga e kaluara, ai tha: Tashmë çdo gjë është paracaktuar në ligj. Sot SPAK ka kompetencat e qarta ligjore. Do të doja të isha më agresiv më kërkues në punën time. Mendoj se jam i përshtatshëm për këtë pozicion sipas kritereve që Këshilli ka shpallur për këtë pozicion. Kam kontakte me të gjithë kolegët e SPAK pavarësisht nga ku vijnë. Unë vlerësoj kapacitetet profesionale dhe njerëzore të secilit”.
Nëse do të zgjidhej si kreu i SPAK, Kraja thotë se në fund të 3 viteve do të donte “një strukturë e plotësuar, funksionale dhe me rezultate të prekshme para opinionit publik”.
“Unë e konsideroj veten në një nivel me kolegët e mi. Drejtuesi ka detyrime dhe përgjegjësi për funksionimin efiçent të institucionit. Do të jemi një grup kompakt, një strukturë e vetme bashkëpunuese ku respektojmë pavarësinë e vendimmarrjen e secilit”, tha ai më tej.
I pyetur nga Michel Lacomy e OPDAT se si e sheh ai bashkëpunimin midis prokurorëve dhe hetuesve të SPAK, Kraja u përgjigj:
“Gjithë struktura e hetimit do të funksionojë si një në drejtimin e prokurorit të çështjes. Parimi do të jetë punë në grup në një sistem kur çdo halke ka kontributin e vet për suksesin e një çështje“.
Përfaqësuesja e EURALIUS nga ana tjetër e pyeti Krajën se vilat janë nevoja që ai i cilëson si imediate për tu financuar pavarësisht vullnetit të Parlamentit.
“Drejtuesi ka mundësi të mbrojë para institucioneve buxhetin. Me argumentet e nevojshme, drejtuesi ka rolin për të mbrojtur të gjitha nevojat operacionale të strukturës, investime në infrastrukturën e nevojshme për hetime. Brenda 6 muajve të para do të ngrihet qendra e përgjimeve dhe do të kërkojë financim të rëndësishëm. Buxheti i shtetit ka parashikuar për vitin 2020 një fond për rreth 100 punonjës apriori, investime etj. Struktura e nivelit të pagave për SPAK duhet rregulluar me ligj, jo me VKM“.
Top Channel