Konferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia.

Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës Ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike.

Konferenca e Londrës u ndoq nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshirë Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim. Konferenca filloi punimet në dhjetor 1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey.

Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, po u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti. Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia.

Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane.

Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendimeve që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40 përqind e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë.

Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që morri konferenca qe mbi argumente strategjike, ekonomike e politike.

Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballkanikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike.

Me poshtë keni hartat e tokave Shqiptare si dhe hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike ( Bullgaria, Greqia , Serbia dhe Mali i Zi) si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA