Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Ruraj, Drejtues Qendror i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Bledi Çuçi ka dalë sot para mediave për të bërë bilancin e situatës pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ministri tha se vlerësimi paraprak i dëmit shkon në 3.05 Miliardë Lekë: Ju kemi kushtuar rëndësi të veçantë inspektimit të shkollave dhe spitaleve. Ky proces është bërë në disa shkallë, duke angazhuar disa grupe inspektimi për të njëjtin objekt në mënyrë që të kishim konkluzione sa më të sakta”.

DEKLARATA E PLOTË

Dy javë pas tërmetit të 26 nëntorit që goditi vendin tonë, ndërsa jemi ende në gjendjen e jashtëzakonshme, dëshiroj të ndaj me ju një pasqyrë të përpjekjeve shumëplanëshe të deritanishme për të përballuar pasojat e kësaj fatkeqësie të madhe natyrore.
Por, përpara se të filloj, dëshiroj të shpreh edhe një herë dhimbjen e thellë për humbjen e jetës së 51 bashkëqytetarëve, për lëndimin e qindra të tjerëve, si dhe për goditjen që ka marrë jeta e mijëra bashkëqytetarëve, të cilët mbetën pa strehë për shkak të tërmetit.

Në të njëjtën kohë, dëshiroj të shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë ata punonjës të institucioneve shtetërore e të organizatave joqeveritare shqiptare, të cilët në këto dy javë kanë lënë mënjanë shqetësimet për veten e për familjet e tyre dhe kanë punuar pa pushim, 7 ditë në javë, për t’jua bërë dhimbjen më të përballueshme dhe humbjen më të lehtë bashkëqytetarëve tanë që u prekën nga tërmeti.

Mirënjohje e respekt, po ashtu, për të gjithë ata bashkëqytetarë dhe biznese që ofruan strehë për të prekurit nga tërmeti, që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë si vullnetarë apo që kanë dhuruar e vazhdojnë të dhurojnë para, ushqim, veshje, e sende të tjera.

Ky solidaritet e përkushtim i shqiptarit për shqiptarin duhet të na bëjë krenarë. Ky solidaritet e përkushtim i shqiptarit për shqiptarin duhet të vazhdojë deri sa të kemi zhdukur edhe gjurmën e fundit të dëmeve që shkaktoi kjo fatkeqësi e madhe natyrore.

Respekt pa fund, po ashtu, për ndihmën dhe përkrahjen dashurisht bujare nga motrat e vëllezërit tanë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, nga bashkatdhetarët tanë nga e gjithë bota, si dhe nga miqtë e shumtë ndërkombëtarë: nga institucionet dhe vendet anëtare të BE-së, nga SHBA, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Izraeli, Rumania, Zvicra, dhe Serbia. Përjetë do t’ju jemi mirënjohës!

Dhe, tani, më lejoni t’ju informoj si vijon:
Menjëherë pas goditjes fatkeqe, u mobilizuan të gjitha institucionet shtetërore qendrore e vendore dhe u ngrit Komiteti Ndërministror për Emergjencat, i cili organizon dhe bashkërendon punën e institucioneve shtetërore, si dhe burimet financiare e materiale për përballimin e pasojave të tërmetit.

Ngritja e këtij Komiteti u pasua me caktimin tim si Drejtues Qendror i Operacionit për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore dhe me ngritjen menjëherë të Shtabeve të Emergjencës për qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

Këto vendime e veprime u shoqëruan më pas edhe me ngritjen e Komitetit të Rindërtimit, i cili përfshin institucionet shtetërore, përfaqësuesit e sektorit privat, si dhe të organizatave jofitimprurëse që kanë mbledhur fonde për të adresuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

I. FAZA E PARË
Në datë 26 nëntor dhe në ditët e para në vijim, puna e të gjitha strukturave shtetërore u përqëndrua në kërkimin dhe shpëtimin e njerëzve të mbetur në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti, si dhe në strehimin e familjeve, banesat e të cilave ishin dëmtuar.

1. OPERACIONI I KËRKIM-SHPËTIMIT
Menjëherë pas ngjarjes, në zonat e prekura nga tërmeti në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë, filluan punën grupet e kërkim-shpëtimit të përbërë nga Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Shërbimi i Zjarrëfikëseve dhe ekipet mjekësore.

Përgjigjes sonë për ndihmë iu përgjigjën menjëherë dhe vende të tjera e partnerë ndërkombëtare.

Operacionet e kërkim-shpëtimit u kryen nga 9 ekipe, të përbërë nga 278 trupa shqiptarë dhe 669 të huaj. Thirrjes së parë për ndihmë iu përgjigjën:
142 forca nga Kosova;
180 nga Italia;
91 nga Franca;
57 nga Greqia;
54 nga Rumania;
17 nga Zvicra, Izraeli, Turqia, dhe Serbia.

Forcat tona të kërkim-shpëtimit nxorrën nga rrënojat 38 njerëz, ndërkohë që së bashku me trupat e huaja, u nxorrën nga rrënojat edhe 10 njerëz të tjerë, 3 prej të cilëve, fatkeqësisht humbën jetën më vonë në spital.

Ndërkaq, që në orët e para pas tërmetit, i gjithë zinxhiri i shërbimit shëndetësor u vu në shërbim të banorëve të dëmtuar nga tërmeti.

2. STREHIMI
Paralelisht me operacionin e kërkim-shpëtimit, Shtabet e Emergjencave për të tre qarqet organizuan strehimin për të gjithë banorët e mbetur pa strehë për shkak të tërmetit.

Në ditët e para, organizuam strehimin emergjent të tyre në palestra, Qendra Sociale dhe çadra, këto të fundit kryesisht në zonat rurale. Megjithatë, në bazë të vullnetit të Qeverisë dhe angazhimit të Kryeministrit, duke filluar nga pasditja e datës 27 nëntor, banorët e prekur nga tërmeti në qarqet Durrës dhe Lezhë filluan të strehohen në struktura hoteliere.

Deri më sot, ju kemi siguruar strehimin e përkohshëm rreth 13 294 qytetarëve të prekur nga tërmeti si vijon:
4 149 qytetarëve i strehuam në hotele;
395 në Qendra Sociale;
254 qytetarë i strehuam në palestra; dhe
7 383 në çadra.

Ndërkohë, mbi 1000 banorë të tjerë janë strehuar në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në Kosovë.

3. STABILIZIMI
Gjatë këtyre dy javëve, u dhuruan nga Qeveria 23 apartamente në Durrës dhe Tiranë për të gjitha familjet që kanë humbur familjarët dhe banesat e tyre. Deri më sot, 6 nga këto familje kanë filluar të banojnë në banesat e dhuruara.

Shërbimi Spitalor
Ne angazhuam rreth 340 mjekë dhe infermierë, të cilët ofruan e vazhdojnë të ofrojnë ndihmë shëndetësore për të prekurit nga tërmeti.
Deri më tani, 913 pacientë janë trajtuar në spital. 20 prej tyre vazhdojnë të marrin trajtim dhe 3 janë dërguar për ndihmë të specializuar jashtë vendit.

Ekipet e mjekëve specialistë kanë vizituar 5163 banorë dhe kanë vaksinuar kundër gripit 1442 banorë të tjerë në Durrës, Krujë, Lezhë dhe Vorë.
Ju kemi kushtuar e ju kushtojmë vëmendje të madhe e të veçantë fëmijëve. 257 psikologë e punonjës socialë shërbejnë në njësitë akomoduese dhe aktualisht rreth 1 669 fëmijë marrin mbështetje të vazhdueshme psiko-sociale.

Pastrimi i inerteve
Pas shembjes së ndërtesave të dëmtuara shumë rëndë nga tërmeti – do të flas më poshtë për to -, morëm masat për pastrimin e inerteve në të gjitha zonat e dëmtuara.
Brenda datës 25 dhjetor, këto inerte do të depozitohen në fushën në Porto Romano, si pjesë e projektit për krijimin aty të një parku të madh urban bregdetar.

II.FAZA E DYTË
Pas sigurimit të strehimit të përkohshëm të banorëve të prekur nga tërmeti, kemi nisur tashmë një prej fazave më të rëndësishme në adresimin e dëmeve të shkaktuara nga ky tërmet, atë të verifikimit të dëmeve në banesa.

1. VLERËSIMI I DËMIT

(a) Banesat
Procesin e vlerësimit të dëmeve në banesa e kemi organizuar në dy faza, në pajtim me praktikat standarte ndërkombëtare:

Gjatë periudhës 27 nëntor – 7 dhjetor bëmë vlerësimin urgjent dhe fillestar të dëmeve në ndërtesa. Ky vlerësim kishte për qëllim përcaktimin e banesave që paraqesin rrezikshmëri, të cilat duhen shembur ose duhen shpallur të pabanueshme përkohësisht. Kjo fazë ka synimin parësor garantimin e sigurisë së jetës së banorëve.

Deri më sot:
Mbi 100 grupe inspektimi kanë verifikuar banesat e dëmtuara nga tërmeti në të gjithë qarkun Durrës, Tiranë e Lezhë.
Në përbërje të këtyre grupeve kemi angazhuar 500 inxhinierë vendas dhe 81 ekspertë e inxhinierë konstruktorë nga 11 vende partnere.

Ky proces dinamik vijon. Deri më sot, në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti janë inspektuar 14 069 objekte, nga të cilat:
261 pallate janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht;
2 237 banesa janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme përkohësisht;
851 pallate kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta; dhe
4 618 banesa kanë pësuar dëmtime të mesme dhe të lehta.

Deri më sot, janë shembur 44 objekte, kryesisht në qarkun Durrës, të përcaktuara si me rrezikshmëri shumë të lartë. Këto ndërtesa janë shembur mbi bazën e Aktit të Konstatimit të çertifikuar nga Grupi përkatës i Verifikimit, nga Instituti i Ndërtimit, dhe mbi bazën e vendimit të Këshillit Bashkiak.

Të gjitha godinat, të cilat rezultojnë me rrezikshmëri të lartë, vazhdojnë të ruhen me perimetër sigurie nga forcat e policisë.

Në datë 8 dhjetor filluam procesin e vlerësimit të ndërtesave që janë dëmtuar nga tërmeti, për hartimin e Raportit Përfundimtar për Dëmet. Ky vlerësim po bëhet mbi bazën e një formulari të përgatitur mbi modelet e BE-së dhe të Kombeve të Bashkuara dhe transmetimi e përpunimi i të dhënave bëhet në kohë reale në mënyrë eletronike. Kjo fazë ka synim kryesor përcaktimin e saktë të dëmeve në banesa dhe përllogaritjen e kostos së këtyre dëmeve.

(b)Shkollat
Vlerësimi paraprak i dëmit 3.05 Miliardë Lekë
Ju kemi kushtuar rëndësi të veçantë inspektimit të shkollave dhe spitaleve. Ky proces është bërë në disa shkallë, duke angazhuar disa grupe inspektimi për të njëjtin objekt në mënyrë që të kishim konkluzione sa më të sakta. Deri më sot kemi këto gjetje nga inspektimi i shkollave:
176 objekte shkollore kanë pësuar dëme të lehta;
6 objekte kanë pësuar dëme të konsiderueshme; dhe
36 objekte kanë pësuar dëme të rënda.

Të gjithë nxënësit që frekuentonin shkollat që kanë pësuar dëmtime të rënda, janë sistemuar në shkolla të tjera dhe mësimi ka rifilluar rregullisht në datë 9 dhjetor.

Të gjitha godinat e institucioneve që ofrojnë shërbime për publikun, si gjykatat, qendrat shëndetësore, institucionet e riedukimit, si dhe objektet e trashëgimisë kulturore, të cilat kanë dëmtime, po mbahen nën vëzhgim të posaçëm.

2. STREHIMI
(a) Bonusi i qirasë
Pasi siguruam strehimit e përkohshëm të banorëvë të prekur nga tërmeti në qendra akomoduese dhe njësi lëvizëse, filluam marrjen e masave për një zgjidhje afatmesme të strehimit për këta banorë. Për këtë qëllim, filluam adaptimin e skemës së bonusit të qerasë për banorët e prekur.

Deri më sot:
Këshilli bashkiak i Tiranës ka miratuar bonusin e qirasë për 922 familje;
Këshilli bashkiak i Durrësit ka miratuar bonusin e qirasë për 666 familje;
Këshillat bashkiakë të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës kanë miratuar listën e familjeve përfituese nga bonusi i qerasë;
Të gjithë bashkitë në zonat e prekuar nga tërmeti, vazhdojnë të pranojnë aplikime për bonusin e qerasë për banorë të mbetur të pa strehë për shkak të tërmetit.

Sipas vendimit të Komitetit për Rindërtimin, qeveria do t’ju ofrojë bonusin e qerasë banorëve të mbetur pa strehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, deri në maj të vitit 2021.

(b)Çadrat e dimrit
Shumica e banorëve në zonat rurale, të cilëve ju është dëmtuar banesa për shkak të tërmetit, kanë preferuar të mos largohen nga shtëpitë. Për këtë arsye, ne ju kemi ofruar këtyre banorëve çadra dimri, të cilat ata do t’i shfrytëzojnë deri në ndërtimin e shtëpive të reja. Me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë e të qytetarëve bujarë, po vijojmë me shpejtësi me zëvendësimin e çadrave verore me ato dimërore, të pajisura me të gjithë infrastrukturën e përshtatshme.

III. HAPAT E PARË PËR ZGJIDHJE AFATGJATA

(a)Drejtimet kryesore të zgjidhjeve afatgjata
Ne si qeveri kemi filluar përgatitjen e planeve konkrete për zgjidhjen afatgjatë të problemeve që shaktoi tërmeti i dy javëve më parë. Këto zgjidhje përfshijnë angazhimin tonë për të bërë të mundur:

Rindërtimin masiv të banesave të dëmtuara me angazhimin edhe të firmave të ndërtimit për riparimin e pallateve që ato kanë ndërtuar;
Ndërtimin e lagjeve të reja në Tiranë, Durrës, Thumanë, Kurbin dhe Lac për të strehuar banorët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti;
Ndërtimin e infrastrukturës shoqëruese (shkolla, kopshte, qendra shëndetësore, infrastrukturë tokësore dhe nën-tokësore) në këto lagje të reja; dhe
Ndërtimin e shtëpive ekologjike (Eko-shtëpive) në zonat rurale.

(b)Vlerësimi monetar i dëmeve
Ndërkohë që kemi bërë vlerësime të kostove të dëmeve në ndonjë sektor të caktuar, nuk kemi ende një faturë të saktë dhe përfundimtare të dëmeve që na shkaktoi tërmeti i dy javëve më parë.

Verifikimi i detajuar i dëmeve në ndërtesat e prekuar nga tërmeti është hapi i parë në përgatitjen e Raportit të Dëmeve. Caktuam zonjën Milva Ekonomi në rolin e Koordinatores Kombëtare për Raportin e Dëmeve, si dhe ngritëm grupin e përbashkët të punës me BE-në, Bankën Botërore dhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për ta përgatitur këtë raport, i cili do të paraqitet në 16 janar.

(c)Programi i Rindërtimit

Realizimi me sukses i Programit të Rindërtimit për të adresuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, kërkon burime të mëdha financiare. Qeveria dhe veçanërisht Kryeministri kanë filluar punën për sigurimin e këtyre burimeve.

Deri më sot, janë në dispozicion 20 miliardë lekë për zbatimin e Programit të Rindërtimit, nga të cilat:
13 miliardë lekë nga buxheti i shtetit; dhe
7 miliardë lekë nga donacionet.

Burimet kryesore të këtyre fondeve janë:
Buxheti i shtetit;
Bashkimi Europian, Banka Botërore, dhe OKB;
Donacionet e mbledhura nga fondacionet “Fundjavë Ndryshe”, “Shqipëria për Shqiptarët”, “Rënjët Shqiptare”;
Donacionet në llogaritë bankare të hapura nga qeveria shqiptare dhe donacionet e mbledhura përmes portalit e-Albania në shërbim të realizimit të Programit të Rindërtimit.

5 753 donatorë dhuruan në total 58.5 milionë lekë përmes platformës qeveritare e-albania;
Qeveritë e huaja, fondacionet, bizneset dhe individët dhuruan 9 milionë Euro në llogaritë bankare të vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare;
23 milionë Euro është totali i fondeve të dhuruara nga donatorë si BE (15 milionë Euro), qeveri të vendeve të tjera si Turqia e cila ka marrë përsipër vendosjen në dispozicion të 500 apartamenteve, etj.

(d) Lehtësimi i procesit të rindërtimit
Fondacionet private do të menaxhojnë drejtpërsëdrejti rindërtimin e banesave të financuara me fondet e mbledhura nga to. Qeveria do të verë në dispozicion të tyre dosjet e banesave që ata do të rindërtojnë ose ndërtojnë. Qeveria do të bëjë supervizimin e këtyre projekteve për të garantuar përputhjen e tyre me standardeve publike të ndërtimit dhe të transparencës.

Deri më sot, qeveria i ka dorëzuar fondacioneve private mbi 200 dosje duke i hapur rrugën rindërtimit të shtëpive të dëmtuara në zonat rurale të ndara në tri blloqe: Qarku Tiranë, Krujë, Fushë-Krujë, Lac dhe Durrës-Lezhë.

Kemi ndërmarrë, po ashtu, disa masa administrative për të përshpejtuar dhënien e lejeve për riparime e ndërtime në banesat e dëmtuara nga tërmeti, natyrisht, pa cënuar cilësinë e projekteve të paraqitura.

FOTO GALERI
10/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA