Lisa Brennan-Jobs erdhi në jetë aty nga fundi i viteve ’70, nga lidhja e dashurisë mes prindërve të saj, artistes Chrisann Brennan dhe Steve Jobs-it. E ëma ishte një grua ëndërrimtare, që ndiqte idealet e hipive për një jetë të çlirët, kurse i ati, para se të ndryshonte botën përgjithmonë, ishte njeriu që bëri të mundur komunikimin falas përmes telefonit.
Jeta e Lizës së vogël nuk qe e lehtë me një baba që nuk e njihte për bijë, që vetëm pas testit të ADN-së arriti t’i jeptë atësinë. Në sytë e saj fëminorë, Stive Jobs-i ishte një figurë mitike, jo fort i pranishëm në jetën e saj. Marrëdhënia me të atin do të mbetet gjithnjë komplekse dhe e mundimshme, me shumë keqkuptime dhe bashkëpunime, me nofka përkëdhelëse dhe heshtje të gjata, me afrime të përkohshme dhe gjeste thellësisht simbolike, por të heshtura: ndër të cilët, emërtimi Lisa i kompjuterit të parë pikërisht në nder të së bijës, siç pranon Jobs-i përpara Bono Vox-it (këngëtarit të njohur të grupit U2) gjatë një darke në Bregun e Kaltër. Ndërsa vajza rritet, i ati duket se interesohet gjithnjë e më tepër për të, duke e futur në një botë të re vilash, pushimesh dhe shkollash private. Vëmendja e tij ishte drithëruese, por ai dinte të bëhej edhe i fohtë, kritikues dhe i paparashikushëm. Në shkollë të mesme, Liza vendos të shkojë të jetojë me të atin, me shpresën se ai do të bëhej babai që ajo kishte ëndërruar gjithmonë. “Cironka” është historia e një vajze në kërkim të identitetit të saj, gjithnjë në përpjekje për të ruajtur ekuilibrin mes dy botëve të kundërta të prindërve. Gjithashtu është një portret i fuqishëm dhe emocionues i Steve Jobs-it, i ndershëm dhe i pamëshirshëm, larg çdo klisheje, një pamje intime e njeriut që gjendet pas mitit.
Kritika
I mprehtë, zbavitës, i sinqertë, pa sentimentalizma dhe i trishtë siç janë kujtimet. Stive Jobs-i, ashtu siç nuk e keni parë kurrë në asnjë libër apo film!
Philip Lopate
I bukur, letrar dhe rrëqethës.
New York Times Book Review
Një libër magjepsës dhe tronditës… me një stil dhe aftësi letrare jo të vogël.
New Yorker
I jashtëzakonshëm… një histori e dhembshme, e rrëfyer me shumë finesë.
People
Fragmente nga libri
1) Sot e shoh qartë se ne kishim qëllime të papajtueshme. Për atë, unë isha veçse një njollë në shkëlqimin e karrierës së tij, sepse historia jonë nuk përputhej me rrëfimin e madhështisë dhe të virtytit që kishte dashur të ndërtonte për veten. Ekzistenca ime prishte vargun e sukseseve të tij të njëpasnjëshme. Ndërsa për mua ishte e kundërta: sa më afër tij të isha, aq më pak ndihesha e turpëruar; ai ishte pjesë e botës dhe do të përshpejtonte daljen time në dritë.
2) Nuk mund të ishim të dyja njëkohësisht të lumtura. Dëshira e saj e ethshme – për jetë, zbavitje, fiq Indie – më dukej e rrezikshme.
Lumturia ime dilte nga rezervat e saj, një sasi e kufizuar që na duhej ta ndanim me njëra-tjetrën. Kur e kishte ajo, nuk duhej ta kisha unë dhe anasjellas. Sikur bota të tregohej dorështrënguar për lumturinë dhe të mos kishte mjaftueshëm për të dyja në të njëjtën kohë.
3) Edhe babai, në atë kohë djalë i ri, kishte besim te Kobuni dhe i qe drejtuar murgut për këshillë, dhe ai i kishte thënë se, nëse unë lindja djalë, do të isha pjesë e një pasurie shpirtërore dhe, në atë rast, do të duhej të më njihte dhe mbështeste. Kur doli që isha vajzë, Kobuni i kish thënë babait – sipas asaj që mamaja mësoi më vonë nga pjesëtarë të tjerë të komunitetit – se nuk kishte ndonjë detyrim për t’u kujdesur për mamanë dhe mua.
Të Dhëna
Fletët | 412 |
ISBN | 9789928233998 |
Titulli origjinal | Small fry |
V. Bot | 2019 |
Vendodhja | Tirane |
Gjuha | Shqip |
Tipi i publikimit | Libër |
Grupmosha | mbi 14 vjeç |
Statusi | I ri |
Numri i botimeve | I parë |
Përkthyesi | Parid Teferiçi |
Top Channel