Para takimit me Putinin në samitin e formatit të Normandisë në Paris presidenti i Ukrainës, Selenskyj ndodhet nën presion. Ai synon paqen, por duke bërë lëshime ai mund të rrezikojë duke shkaktuar kryengritje në vend.

Pritshmëritë janë të jashtëzakonshme. Qoftë në media apo në politikë, atmosfera është e njëjtë: Samiti për Ukrainën lindore në të ashtuquajturin formati i Normandisë të hënën (10.12) në Paris mund të jetë një pikëkthese. Kryesisht në Ukrainë ka shumë analiza për këtë, se çfarë duhet të kenë parasysh krerët e shteteve dhe të qeverive nga Rusia, Ukraina, Gjermania e Franca dhe se çfarë mund të dështojë. Opozita pro-perëndimore ukrainase e paralajmëron presidentin Volydimir Selenskyj, që të mos i kalojë vijat e kuqe, kur të takohet për herë të parë me shefin e Kremlinit Vladimir Putin. Presion shtesë vjen prej botës së jashtme, ku edhe presidenti i SHBA-së Donald Trump bën fjalë për një “përparim të madh”.

Përse Putin udhëton me ndjesinë e fitimtarit për në Paris

Arsyeja që ngjall shqetësim është gatishmëria e Selenskyjt, që për paqen në lindje të Ukrainës të hyjë në kompromise me Rusinë. Vendosja e paqes në një luftë që vazhdon nga viti 2014 – ky ka qenë premtimi kryesor i 41 vjeçarit ish-komikut televiziv – që në pranverë u zgjodh president i Ukrainës. Rruga për paqen është përcaktuar në Marrëveshjen e Minskut në vitin 2015, por që deri tani nuk është zbatuar. Moska, që mbështet separatistët  në lindje të Ukrainës dhe qeveria në Kiev fajësojnë reciprokisht palën tjetër.

Takimi në formatin e Normandisë nuk është zhvilluar që nga viti 2016, sepse Rusia e cilësoi si bllokues paradhësin e Selenskyt, Petro Poroshenko  dhe nuk donte ta pranonte më atë. Pas ndryshimit të pushtetit në Kiev, Moska u shpreh e gatshme për bisedime, por vendosi kushte për samitin në Paris: tërheqjen e trupave të ushtrisë ukrainase dhe të separatistëve në tri krahina të caktuara si dhe një pranim me shkrim të nismës politike nga ana e Kievit, që Moska e quan “formula e Steinmeier-it”. Me këtë kihet parasysh propozimi i ish-ministrit të Jashtëm gjerman, sot president i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier për një status të posaçëm të territoreve të separatistëve. “Formula Steinmeier” përcakton, se kur dhe si duhet të hyjë në fuqi një ligj përkatës.

Selenskyj i ka përmbushur kushtet e Putinit e kësisoj ka hequr dorë nga qendrimi i parardhësit të tij: fillimisht një armëpushim i qendrueshëm e më pas tërheqje e trupave. Edhe sot në lindje të Ukrainës vazhdojnë luftimet e çdo ditë vdesin ushtarë ukrainas. Nënshkrimi i “Formulës së Steinmeier” ngjalli valë protestash në Ukrainë. Në rrjetet sociale para samitit të Parisit aktivistët kërcënojnë me protesta të reja në rast se Selenskyj bën lëshime në takimin me Putinin në Paris.

Çfarë duan të arrijnë Selenskyj dhe Putin në Paris?

Paraqitja në Paris është një premierë për Selenskyjn: Para vitesh ai është paraqitur në skenë si aktor i një trupe humoristësh para presidentëve postsovjetikë, ndër të tjerë edhe para ish-shefit të Kremlinit, Dmitri Medvedev. Tani ai takon Putinin si president i Ukrainës.

Për Kievin në radhë të parë në Paris synohet të arrihet armëpushimi i plotë dhe një shkëmbim i të burgosurve, që me sa duket po shtyhet vazhdimisht. Së fundi në shtator pati një shkëmbim direkt mes Rusisë dhe Ukrainës, ku Rusia liroi kineastin ukrainas të dënuar me 20 vjet burg për terrorizëm, Oleg Senzov. Senzov u shpreh skeptik përpara këtij takimi dhe e paralajmëroi sërish Parlamentin e BE-së nga një kurth i mundshëm i Putinit në Paris. Edhe Olena Serkal, deri vonë zëvendësministre e Jashtme e Ukrainës, në bisedë për DW tha, se “kam dyshim në ndershmërinë e objeksioneve të Putinit.”

Shefi i Kremlinit është më pak nën presion se sa kreu i Ukrainës. Qëllimi i Putinit është ta verë në lëvizje Kievin për të bërë lëshime. Për këtë ai i var shpresat tek ligji për statusin e posaçëm për separatistët, ligj ky që është në fuqi deri në fund të vitit. Me sa duket ligji i deritanishëm duhet shtyrë sërish, përpara se të vendoset një ligj i ri. Moska do po ashtu që ta detyrojë Kievin për bisedime direkte me separatistët – me këtë Rusia do të paraqitet si ndërmjetësuese, e cila nuk është pjesë e konfliktit.

Por qëllimi kryesor i Putinit është të nxisë zgjedhjet në territoret e separatistëve dhe të legjitimojë përmes tyre statusin e autonomisë për to, kur dhe në çfarë kushtesh do të mundësohen zgjedhjet në Donjeck dhe Luhansk, nëse Ukraina do të marrë kontrollin ndaj kufijve. për këto do të bisedohet në Paris.

Tranziti për gazin përmes Ukrainës

Çështja që krijon tension në samitin e Parisit është rruga tranzite e kalimit të gazit përmes Ukrainës drejt EVropës. Marrëveshja e deritanishme mes Moskës dhe Kievit skadon më 31 dhjetor, bisedimet për marrëveshjen pasuese deri më sot kanë dështuar. Samiti i Parisit do të jetë shansi i fundit, për të shmangur bllokimin e furnizimeve./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA