Mbrojtja nga tërmetet/ Eksperti amerikan: Të përcaktohen prioritetet

29/11/2019 15:57

Profesor Ross Stein, drejtor ekzekutiv i kompanisë Temblor Incorporated, thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen por në vend të kësaj është e nevojshme të përcaktohen prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Profesor Stein tha se rajonet rreth Tiranës dhe ato përgjatë bregdetit të Shqipërisë kanë rrezikun më të madh dhe janë zonat ku duhet përqendruar vëmendja. Nga pikëpamja sizmike, thotë ai, kjo është pjesa më aktive e rajonit të Ballkanit dhe në fakt ka një histori tërmetesh më të mëdha e më të shpeshta, edhe më të shpeshta se sa Italia. Për nga aktiviteti vjen ndoshta vetëm pas Greqisë veriore në Evropë. Shqipëria ka qenë mjaft aktive gjatë kohërave dhe mund të presim tërmete të mëdhenj në të ardhmen-thotë ai.

“Arsyeja që Shqipëria është kaq e bukur, sqaron Stein, është sepse ajo ka një topografi të mrekullueshme me kodra dhe lugina dhe kjo ndodh nga që rajoni ka pësuar shtypje nga lindja dhe perëndimi. Është njëlloj si një qilim, që kur e shtyn nga të dyja anët, krijon rrudha. Këto rrudha janë ishujt e Kroacisë dhe kodrat apo luginat e Shqipërisë. i tërë rajoni është i shtypur dhe janë krijuar linja tektonike poshtë shumë prej këtyre rrudhave, duke përfshirë atë që u trondit disa ditë më parë”.

Shkencëtarët kanë kuptuar relativisht vonë se këto rrudha mund të fshehin linjat aktive tektonike poshtë tyre. Gjatë 10 viteve të fundit, gjeologët kanë filluar të bëjnë hartat e këtyre rrudhave, për të gjetur me përafërsi vendndodhjen e linjave tektonike, gjë që na lejon të shpjegojmë më mirë tërmetet që historikisht kanë goditur rajonin dhe të parashikojmë më saktë se ku mund të ndodhin ato në të ardhmen në një kuptim të gjerë. Do të doja shumë të thoja që shkencëtarët mund të ndihmojnë ose parashikojnë tërmetin tjetër, por nuk munden.

“Në një farë mënyre, tërmetet ndodhin në mënyrë rastësore në gjithë globin tonë dhe jo rregullisht. Prandaj, asgjë nga ato që kemi gjetur nuk na zbulon se kur do të ndodhë tërmeti tjetër”.

Por, ajo që mund të bëjmë, është të tregojmë se cilat janë zonat më të rrezikuara dhe si ti ndërtojmë prioritetet për mbrojtjen nga tërmetet.

Top Channel