Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ku është duke vazhduar rinumërimi i vendvotimeve, në mëngjesin e sotëm kanë ndodhur mosmarrëveshje dhe fyerje në mes vëzhguesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës për Kosovën.
Madje ka zëra që vëzhguesi i VV-së, Valon Hoti e ka sulmuar vëzhguesin e Nismës Socialdemokrate, Endrit Zabërgja. Ky i fundit thotë se është sulmuar pas shpine. Ndërsa, Hoti i VV-së thotë se kishte vetëm fyerje.
Vëzhguesi i Nismës, Endrit Zabergja, KosovaPress-it përmes telefoni i tha se nuk mund të jap detaje, pasi që me rastin janë duke u marrë organet përgjegjëse.
“Nuk mund të flas asgjë, pasi që rasti ka kaluar tek organet kompetente”, tha ai.
E gjatë ditës ai reagoi përmes një statusi në Facebook, i cili vëzhguesit i Vetëvendosjes i ka quajtur qyqarë të cilët nuk po mund ta kontrollojnë mllefin që u shkaktua nga anulimi i votave të Listës Serbe, po e manifestojnë me sulme nga mbrapa.
“Tinëzarët qyqarë të Vetëvendosjes, të cilët nuk po mund ta kontrollojnë mllefin që u shkaktua nga anulimi i votave SRPSKA, po e manifestojnë me sulme nga mbrapa sepse iu mungon guximi për ballafaqim direkt dhe me argumente. Në pamundësi për të grabitur mandate, ata në QNR po synojnë të vjedhin vota duke tentuar t’i bëjnë votat tona të pavlefshme, përderisa rinumërimi është afër përfundimit. Matrapazë hipokrit, kaq e patët për QNR, shihemi në përballjet tjera politike”, thuhej në këtë shkrim.
Në rrjetin social Fcebook ka reaguar edhe vëzhguesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti i cili nëpërmjet një statusi e ka shpjeguar situatën.
Sipas tij, nuk kishte kërcënime fizike mes tyre por vetëm fyerje në baza familjare.
“Lëvizja Vetëvendosje me vëzhguesit e saj nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë që vota dhe vullneti i qytetarëve të tjetërsohet. Votën dhe vullnetin e shprehur me 6 tetor do ta ruajmë me çdo kusht. Ata që kanë vjedhur deri tash Kosovën me tenderë, me afera korruptive, me kilentel tash po duan të ndërhyjnë në vota që po ju duhen për mbijetesë politike. Populli i ka ndëshkuar dhe kjo e vërtetë nuk mund të mohohet. Në këtë lloj presioni u gjenda edhe unë si vëzhgues me ç’rast nipi i kryetari të Fatmir Limajt filloi të më fyej në baza familjare, dhe unë i reagova, mirëpo aty nuk pati asnjë konfrontim fizik. Tendenca për t’u viktimizuar vjen vetëm pasi po i njëjti po kërcënonte vëzhguesit e QNR-së. Ne jemi të vendosur të mbrojmë votën cilado qoftë ajo dhe ashtu do të vazhdojmë”, thuhej në statusin e Hotit.
Kurse, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për KosovaPress, se sot kanë pranuar informatën se rreth orës 09:30 ka qenë një mosmarrëveshje e cila ka ndodhur në mes dy personave në QNR, në Fushë Kosovë.
Sipas saj, njësitet policore kanë dale në vendngjarje dhe në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë veprimet e nevojshme procedurale.
Lidhur me rastin KosovaPress, gjatë ditës ka tentuar të marrë një konfirmimin nga koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj por ai nuk ka dashur të flas.
Top Channel