Dy të moshuar, burrë e grua kanë përfunduar në pranga pasi akuzohen se kanë varrosur për së gjalli nusen e tyre dhe më pas i kanë fshehur trupin, thjesht dhe vetëm që djali i tyre të merrte kujdestarinë e fëmijëve.

Trupi i 41-vjeçares Marcia Martins Miranda u gjet në një banesë të braktisur në Rio Pequeno, në qytetin e Sao Paulo. Shtëpia ku u gjet trupi, sipas mediave lokale ishte marrë me qira nga vjehrrit e saj, Fernando Antonio Martins de Oliveira, 62 vjeç dhe Maria Izilda Pereira Miranda, 60 vjeçe.

Viktima kishte më shumë se 1 muaj që rezultonte e zhdukur. Dyshohet se çifti i të moshuarve e ftoi 41-vjeçaren te shtëpia me qira për të biseduar, pasi i kishin thënë se donin të hapnin një llogari bankare për fëmijët.

Ata e bindën nusen që të shkonte në vendin e krimit, më pas e goditën pas koke dhe e varrosën ndërkohë që ishte ende gjallë. Hetuesit thanë se vjehrrit e kishin mirëmenduar krimin dhe kishin hapur një gropë të thellë, të cilën e mbyllën më pas me beton.

Ata vendosën që ta vrisnin 41-vjeçaren, pasi kjo e fundit u kishte thënë se do ndahej nga bashkëshorti dhe do të merrte fëmijët, një djalë 4 vjeç dhe vajzën 9 muajshe. Sipas asaj që shkruan e përditshmja “Mirror”, të arrestuarit i kanë mohuar akuzat. Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë.

Top Channel