“Në 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, fatkeqësisht shqiptarët po kuptojnë e po provojnë përditë se muret nuk janë vetëm fizike. Muret e reja të izolimit janë edhe më të vështirat për t’u shembur. Shqiptarëve dhe Shqipërisë rrezikojnë tu ngrihen mure prej keqqeverisjes, e cila ka rrënuar themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira, ka zëvendësuar Sundimin e Ligjit me sundimin e njëshit, ka shënuar rekorde të turpshme me vjedhjen, korruosionin dhe krizën ekonomike dhe që për eksport të vetëm me botën perëndimore, ka krimin dhe emigracionin”, kështu shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha në facebook.
“Por shqiptarët nuk e kanë ndjekur e nuk e ndjekin pas turravrapin e tij oriental. Idealet që shembën Murin e turpit në Berlin janë idealet e demokracisë dhe të votës së lirë. Edhe sot, rinia dhe inteligjencia shqiptare janë bashkë me lidershipin europian, i cili në 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, e ka 9 nëntorin një ditë refleksioni, një ditë përbashkimi kundër autokracisë, kleptokracisë, populizmit e racizmit”, shkruan ai më tej.
Statusi i Bashës
Triumfi i Lirisë
30 vjet më parë, shqiptarët kthyen sytë me shpresë nga Gjermania, atje ku në pjesën e saj lindore po ndodhte realizimi i një ëndrre, shembja e murit që ndante Berlinin, rënia e diktaturës. Komunizmi po shpallte edhe formalisht falimentimin dhe po i dorëzohej revoltës së gjermanëve, të cilët kërkonin liri, demokraci dhe bashkim. Ngjarjet e Gjermanisë nuk ishin vetëm histori për shqiptarët. Ata gjetën tek rënia e Murit të Berlinit aleatin e tyre më të madh, shpresën se ndryshimi po vinte, edhe më shpejt sesa shpresonin më optimistët.
Brenda 12 muajve, kombi gjerman rrëzoi Murin e Berlinit, simbol të diktaturës e të ndarjes që gjatë 28 viteve të ekzistencës së vet përçudnuese, ishte shndërruar në varrin e mbi 200 disidentëve, të vrarë në përpjeke për të ikur nga ferri lindor e për të kaluar në anën e demokracisë.
Në të njëjtin hark kohor, inteligjencia në Shqipëri ngriti zërin e saj, qytetarët sulmuan klonet që rrethonin shtetin në të gjithë hapësirën e tij dhe shoqëria jonë pagoi një tribut të rëndë, me vrasjet në kufi të dhjetëra të rinjve, nga Shkodra në Sarandë.
Nën shembullin e përpjekjes gjermane dhe me shembjen e Murit të Berlinit si metafora e shpresës, pas 5 dekadash diktature, shqiptarët i dhanë jetë Lëvizjes “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, një revolucion paqësor që shembi regjimin më gjakatar të përtej Perdes së Hekurt.
Bashkë me këtë Lëvizje lindi Partia Demokratike, e para në këtë pjesë të ish-botës komuniste që aplikoi për anëtarësimin e vendit në aleancën e kombeve të lira, në NATO. Ajo i mishëroi idealet mbi të cilat u ngjiz edhe lëvizja që shembi Murin e Berlinit, me nisma që e drejtuan Shqipërinë drejt hapësirës euroatlantike dhe mbështetën ngritjen e ekonomisë së lirë të tregut.
Në 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, fatkeqësisht shqiptarët po kuptojnë e po provojnë përditë se muret nuk janë vetëm fizike. Muret e reja të izolimit janë edhe më të vështirat për t’u shembur. Shqiptarëve dhe Shqipërisë rrezikojnë tu ngrihen mure prej keqqeverisjes, e cila ka rrënuar themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira, ka zëvendësuar Sundimin e Ligjit me sundimin e njëshit, ka shënuar rekorde të turpshme me vjedhjen, korruosionin dhe krizën ekonomike dhe që për eksport të vetëm me botën perëndimore, ka krimin dhe emigracionin.
Kjo klikë që u ka mohuar shqiptarëve edhe të drejtën e votës po e largon vendin nga gjiri i familjes perëndimore dhe drejt hapësirave të tjera, ku vota nuk njihet e ku klikat kthehen në autokraci të korruptuara. Në 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, regjimi kleptokrat shkumëzon kundër Perëndimit dhe sheh ëndrra me aleanca autokratike orientale.
Por shqiptarët nuk e kanë ndjekur e nuk e ndjekin pas turravrapin e tij oriental. Idealet që shembën Murin e turpit në Berlin janë idealet e demokracisë dhe të votës së lirë. Edhe sot, rinia dhe inteligjencia shqiptare janë bashkë me lidershipin europian, i cili në 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, e ka 9 nëntorin një ditë refleksioni, një ditë përbashkimi kundër autokracisë, kleptokracisë, populizmit e racizmit.
Këto ideale i ndan edhe shoqëria shqiptare, prandaj 9 nëntori i shqiptarëve është dita e rinovimit të zotimit kombëtar “E Duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Është dita e evokimit të ëndrrës, shpresës dhe qëllimit për një Shqipëri ku çdo shqiptar të zgjedhë të jetojë me liri, mundësi, dinjitet dhe mirëqenie të garantuar.
Top Channel