I ftuar në Top Talk sot regjisori Kujtim Çashku hoqi vija paralele mes historisë së hebrenjve dhe shqiptarëve në fatin e tyre historik. Ai e lidhi këtë më arsye historike dhe faktike në raport me shumë momente që kombet tona kanë kaluar që nga lashtësia e tyre. Gjuha është simboli i mbijetesës thotë Çashku që flet edhe për kohët moderne të shqiptarëve, prosperitetin e tyre dhe shpresën se kombi ynë dhe pse i vendosur në 5 shtete do të dijë të rrugëtojë në drejtimin e duhur pavarësisht pengesave apo ndalesave momentale.

Çashku foli në Top Talk edhe për aktualitetin politik, procesin e integrimit dhe raportet me Europën.

I pyetur nëse Shqipëria është qeverisur mirë këto 30 vite dhe se mund të ishte anëtarësuar më parë në Bashkimin Evropian, Çashku u shpreh: “Mendoj që janë disa faktorë. E para, duhet të ndjejmë se çfarë kishim të gabuar në sistemin totalitar. Kishim një kulturë ndëshkimi shumë të fuqishëm, që kishte të bënte me frikën dhe vetëvetiu njerëzit u lodhën nga kultura e ndëshkimit, e sapo u liruan prej kësaj bënë të kundërt. Kur u çliruan e braktisën fenomenin tjetër, se ç’do të thotë njeriu kur është përpara ligjit. Ligji për to humbi kuptimet dhe të gjitha mbeten në letra. Nuk u bë një reflektim nëse kemi sot një vetëdije se a bëmë ndonjë gabim tjetër të madh që në zanafill, për shembull raporti i individit me pronën. Pas 30 vitesh bëhet një rrezyme dhe shihet në çfarë drejtimi kemi shkuar”.

Kujtim Çashku u shpreh kundër edhe atyre që mendojnë se “Shqipëria nuk bëhet kurrë”.

“E kuptoj kulturën e qaramanëve që vijnë e thonë se Shqipëria nuk bëhet kurrë, por unë jam i bindur që Shqipëria bëhet dhe është një dhuratë e madhe për shqiptarët”, u shpreh Çashku.

Top Channel