Afro 150 fëmijë të periferisë së Kavajës dhe fshatit Shtodhër udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës së Helmasit, në fshatin Kazaz për të zhvilluar mësimin në orët e pasdites. Pas dëmtimeve të shumta nga tërmeti i 21 shtatorit, shkolla e fshatit Shtodhër, e ndërtuar në vitet ’90, u mbyll me premtimin se do t’i nënshtrohej rikonstruksionit. Brenda dhe jashtë saj, ka mure të çara, suva të rëna, por ndonwse ka kaluar më shumë se një muaj askush nuk është kujtuar për riparimin e saj.

“Një ditë të bukur e mbyllën dhe as zgjidhje asgjë. Nuk ka filluar. Thonë shpejt, shumë shpejt dhe asgjë… Unë personalisht e kam shumë të vështirë sepse m’i kanë shkëputur fëmijët nga të gjitha kurset. Shkolla është pasdite dhe fëmija nuk i ndjek dot kurset. Bashkia thotë se do të fillojë shumë shpejt, por asgjë”, thotë një prind.

Me pakësimin e orëve me dritë natyrale dhe ardhjen e dimrit, nxënës dhe prindër janë të shqetësuar.

“Dua ta bëj shkollën këtu, ku e kam afër. Shkojmë pasdite me autobuz dhe e kam shumë keq kur kthehem në errësirë. Në autobuz ka shumë nxënës dhe rrimë shumë ngushtë”, thotë një nxënëse.

Shkolla e Shtodhrit ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit të Kavajës, po nxënësit e saj janë të detyruar ta ndjekin mësimin pasditeve vetëm në shkollën e Helmasit duke përshkuar 8 km vajtje-ardhje me autobuz në një rrugë tejet të dëmtuar fshati nga kalimi i mjeteve të rënda.

Disa prej prindërve shprehen:

“Ne jemi lagje qyteti dhe pse të shkojë fëmija në Kazaz në fshat? Shkolla u prish prej tërmetit dhe as kanë filluar akoma nga rregullimi. Edi Rama sikur tha se do të rregullohet brenda muajit (tetor). Shikoni sa rrugë e keqe është. Ne jemi me zemër të ngrirë derisa kthehen fëmijët.”

“Fëmijët dalin në rrugë dhe janë në rrezik. Asnjë masë nuk kanë marrë.”

“Fëmija shkon në Kazaz, po nuk kemi besim për shkak të rrugës së keqe. Me frikë rrimë.”

Top Channel u interesua pranë Bashkisë së Kavajës në lidhje me këtë situatë shqetësuese për komunitetin, ku mësoi se ende nuk ka një datë për fillimin e punimeve për rindërtimin e shkollës së dëmtuar, po Bashkia po vlerëson marrjen e një ambjenti me qera në Shtodhër, në mënyrë që fëmijët brenda muajit nëntor ta zhvillojnë mësimin pranë vendbanimit të tyre.

Vali Qyrfyci

Top Channel