Eleana Zhako – përkthyese
Një poet në fillim të të shtatëdhjetave, me një profil të skalitur nga një skulptor i panjohur i Greqisë së lashtë, me një mjekër gjysmë të hirtë, që ia thekson më tepër konturet e fytyrës së tij paksa të gjatë, me një cigare të përhershme në gishtërinjtë e tij, dhe që pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi bindjeve komuniste dhe poezisë, ka një emër të njohur tashmë në gjithë botën: Janis Ricos.
Janis Ricos (1909 – 1990), nuk është aspak i panjohur për lexuesin shqiptar. Një pjesë e madhe e veprave të tij poetike, janë sjellë në gjuhën shqipe gjatë një periudhe të rëndësishme kohore, gati pa ndërprerje, me pikënisje librin “Mëhallat e botës”, përkthyer nga Spiro Çomora, më 1961.
Ligjëratë mishtore
Sa e bukur je. Më tremb bukuria jote. Kam uri. Kam etje për ty.
Të lutem: fshihu, bëhu e padukshme për çdo sy, e dukshme vetëm për timin sy.
Mbulohu nga flokët deri tek thonjtë e këmbëve me një vel të errët, të tejdukshëm,
Bel me pak preka nga dihatjet e argjendta të hënave pranverore.
Poret e tua shqiptojnë zanore, joshje që deh ndër bashkëtingëllore.
Nyjëtohen fjalë të fshehta. Shpërthime trëndafilash nga akti i dashurisë.
Beli yt zmadhohet, shkëlqen mbi qytetin e errur dhe baret me drita të venitura,
Mbi hamëtoret e detarëve.
Prozhektorë të gjelbër ndriçojnë farmacinë e natës.
Një rruzull i qelqtë sillet me të shpejtë duke treguar vendet e botës.
Të dehurit i merren këmbët nga një furtunë që fillon prej frymëmarrjes së vet.
Mos ik. Mos ik. Je kaq e lëndëshme, kaq e pakapshme.
Një dem i gurtë kërcen nga ballina, në barin e thatë.
Një grua lakuriqe ngjitet nëpër shkallën e drunjtë duke mbajtur një legen me ujë të nxehtë.
Avulli ia fsheh fytyrën.
Lart në ajër, një helikopter gjurmues bombardon në vende të papërcaktuara.
Ruaju. Ty të kërkojnë. Fshihu më thellë në duart e mia.
Pushi i batanijes së kuqe që na mbulon zmadhohet e zmadhohet.
Batanija bëhet arushë shtatzënë.
Dashurohemi pafundësisht nën arushën e kuqe,
Matanë kohës, matanë vdekjes, në një bashkim të vetëm, të përbotshëm.
Sa e bukur je. Bukuria jote më tremb.
Kam uri. Kam etje për ty. Dhe të lutem: fshihu.
Ajo çka e bën të dashur poezinë e Ricosit për përkthyesit shqiptarë, është fqinjësia me Greqinë, fryma e majtë e poezive, larmia e tematikave të tij, lirizmi mallëngjyes dhe bashkërenditja krahas poetëve më të njohur botërorë. Ricosi është ndër poetët grekë më të përkthyer dhe bashkë më dy nobelistët grekë, Odhiseas Elitis dhe Jorgos Seferis, përbën poetin e tretë grek, i cili ishte në prag të Nobelit, por që për shkak të frymës së theksuar politike të poezisë së tij, mbetet “nobelisti i panominuar”. Por, porsi poetët, Pablo Neruda (1953), Bertolt Brecht (1954), Luis Aragon (1957), Kostas Varnalis (1959) dhe piktori Pablo Pikaso (1962), Ricosi, do marrë në vitin 1977, “Çmimin Ndërkombëtar të Paqes Lenin”, i cili ishte çmimi më madhor i Bashkimit Sovietik dhe ekuivalenti i Nobelit. Në vëllimin poetik, që i prezantohet lexuesit shqiptar, nga Shtëpia Botuese “Dituria”, me titullin “Erotika”, poezia e tij i largohet frymës së theksuar politike, që karakterizon krijimtarinë e tij të viteve më të hershme, dhe i kushtohet Erosit, Imerodit, dashurisë mishtore, mallit për të dashurën, gjumit dashuror pas dashurisë. Në fund të të gjashtëdhjetave të tij, gati dhjetë vite para vdekjes së tij, Ricosi do i falet Erosit me përdëllimin e një besimtari të përbetuar. Kërkon të sfidojë nocionin e kohës, këtij Polifemi gllabëritës, përmes verbimit të tij me shigjetën e dashurisë. Dashuria për poetin nuk ndalet as në gjumë. Porsi lumi, ajo rrjedh vazhdimisht dhe merr me vete gjithë pemët e gjithë zogjtë.
Gjumë dashuror pas dashurisë. çarçafë të djersitur që varen nga shtrati përtokë. Dëgjoj nëpër gjumë lumin e fortë. Rrjedh ngadalë. Trungje të mëdha pemësh rrëshqasin në të. Në degët e tyre një mijë zogj udhëtojnë pa lëvizur me një këngë të zgjatur uji e gjethesh, që ndërpritet nga yjet. […]
Erotika, përbëhet nga tre pjesë, të cilat pavarësisht ngjashmërisë, dallojnë nga njëra – tjetra për nga stili, vargu dhe veçanësia. Pjesa e parë, e cila titullohet “Suitë minore në të kuqe maxhore”, përmban 44 poezi të shkurtra, të cilat nuk janë të ndara në strofa dhe vihet re mungesa e shenjave të pikësimit. Poezia për Ricosin është një akt i pafundmë dashuror, ku fjalët përflaken, porsi lëkura e burrit dhe e gruas kur bëjnë dashuri, është kazma dhe lopata mbi mermer, kokrriza e rërës ngjitur në trupin e të dashurës, qiell i kuq i mpiksur, filxhani i porcelantë ku pasqyrohet lakuriqësia e saj, rrënjë të kapërthyera, gjithë universi, i mbrujtur me spermë, bajgë e lule limonësh. Pjesa e dytë “Trup lakuriq”, është një poemë erotike vargjesh të shkurtra, ku poeti mbyllet në trupin e së dashurës, fle e zgjohet brenda saj, në qendër të vargut ndodhet vetëm ajo dhe krejt natyra, trëndafili që lartësohet i vetmuar, ylberi, pylli i praruar, druvarët, zogjtë, deti i Monemvasias, vendlindjes së poetit, fiqtë e egër mishtorë, figura të lashta mitologjike, Odiseja, Penelopa, Imerodi, ngjizin imazhin e muzës së tij, që ndodhet larg.
Dy muaj që s’u pamë.
Një shekull e nëntë sekonda
Ndërsa, pjesa e tretë, “Fjalë mishtore”, janë poezi që ngjasojnë më tepër me proza të vogla poetike, për nga struktura e vargjeve. E dashura e poetit është një Diotimë mishtore, e kundërta e Diotimës platonike të lashtësisë, e cila përmbledh në trupin e saj gjithë trupat, që ai preku, vështroi, mori, ëndërroi; është një prostitutë – rioshe, që prishet, pa çarë kryet për paratë e klientëve mbi komodinë; një vajzë, që qëndron poshtë lulemollëve dhe petalet futen mes gjinjve të saj; një vajzë me përparëse të bardhë, që mbledh të vrarët e zhveshur.
-Mishra të çarë,
Gjak nuk është gjaku i 27 ditëve të tua;
por edhe ai më zbramps, më pengon, më tundon.
Gjaku është bërë që të rrjedhë shpengueshëm nëpër vena;
që ta dëgjosh përgjatë natës zemër me zemër, si muzika që vjen poshtë dyshemesë sonë, ku një tjetër çift me muzikë po përgatit më thellë dashurinë e tij.
Erotika, është kuintesenca e krijimtarisë erotike më të rëndësishme të shkrimtarit, është grahma e tij e fundit për t’u përballur me vdekjen.
Top Channel