U vidhnin grave varëset e floririt nga qafa, policia arreston një person dhe shpall në kërkim një tjetër

02/11/2019 11:20
Foto ilustruese

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë në kuadër të operacionit policor të koduar “Cooperation”, arrestuan shtetasin R. S., 30 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për “Vjedhje” dhe shpallën në kërkim shtetasin A. G., 30 vjeç, banues në Durrës edhe ky i dënuar më parë për “Vjedhje”.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në fshatin Yrshek i kanë marrë forcërisht nga qafa varësen e floririt shtetases M. L.

Po këta shtetas në vendin e quajtur Pezë-Helmez, i kanë marrë me dhunë varësen e floritit nga qafa shtetases F. R.

Në vijim të hetimeve rezultoi se shtetasi A. G., më datë 4 tetor i kishte marrë me dhunë  një shtetasi varësen  nga qafa.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, bënë dokumentimin e plotë të dinamikës së ngjarjeve me anë të provave të sekuestruara dhe materialet në ngarkim të dy shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale  “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

Top Channel