Automjetet e blinduara të Forcave Speciale janë rikthyer sërish në qytetin e Durrësit dhe sërish për ngjarje që kanë lidhje me krimin e organizuar.

Kësaj radhe breshëritë e kallashnikovit kane lënë të plagosur prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja, shtetasin Aleksander Laho dhe drejtuesin e mjetit Andi Maloku , i cili po lufton për jetën në spitalin e Traumës. Për të gjetur se kush ishte shënjestra e  atentatit , prokuroria e ka regjistruar çështjen për grup të strukturuar kriminal dhe vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë.

Ndonëse  kanë marrë në spital deklaratën e prokurorit Arjan Ndoja që këmbëngul se nuk ishte ai shënjestra e atentatit, kolegët e tij të Krimeve të Rënda sidoqoftë nuk e përjashtojnë edhe këtë pistë. Por ndërkohë nga ana tjetër policia ka kryer në orët në vazhdim shoqërime të shtetasve që kanë probleme me ligjin, apo që kanë qenë të skeduar, duke marrë edhe deklaratat e tyre. Mes të shoqëruarve që më pas u lanë të  lirë janë Plarent Dervishi dhe Julian Mece, të cilët kishin alibi mbi momentet kur ndërkohë në autostradë automjeti ku udhëtonte prokurori Ndoja po ndiqej nga një tjetër makinë dhe kur brenda pak sekondave , ata u nxorën nga rruga dhe u lanë të plagosur në mbikalim.

Policia do t’i rikthehet sërish të plagosurve për të marrë detaje që do ta ndihmonin, ndonëse pritshmëritë i ka të ulëta. Por grupi i hetimit po diskuton që pas ekspertizave dhe kqyrjeve të rëndësishme mes tyre edhe ndaj një automjeti të braktisur, ta pyesë prokurorin Ndoja mbi dosjen që ai ka nën hetim. Sakaq e njëjta dëshmi do t’i merret edhe Aleksandër Lahos, i njohur me pseudonimin “Rrumi” e që gjithashtu është i njohur edhe për konfliktet e tokave në gjirin e Lalëzit.

Prokuroria kreu ekspertizë në perimetër të gjerë dhe tani do presë, ndonëse në vendngjarje kanë harruar targën e automjetit me të cilin udhëtonte prokurori Arjan Ndoja.

Top Channel