Atentati/ Grupi i Hetimit për Top Channel: Pas dëshmisë, lihen të lirë Plarent Dervishi dhe Juljan Meçe

02/11/2019 11:07
Makina me të cilën udhëtonin Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi

Grupi hetimor që ka marrë përsipër dosjen e atentatit të ndodhur dje në mbikalimin e Shkozetit ka konfirmuar në rrugë jozyrtare për Top Channel se dy personat e shoqëruar dje, Plarent Dervishi dhe Juljan Meçe, janë lënë të lirë pasi u është marrë dëshmia.

Burime brenda grupit të hetimit i thanë gazetares Anila Hoxha se nga kqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se Dervishi dhe Meçe kanë qenë një lokal me kamera sigurie në momentin kur u realizua atentati ndaj makinës me të cilën udhëtonte prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit”.

Shoqërimi dhe marrja e tyre në pyetje u krye, sipas një pjesëtari nga grupi i hetimit, për shkak të një atentati të ndodhur ndaj tyre në muajin qershor të këtij viti, dhe për faktin nëse ata dyshonin apo jo që këtë atentat mund ta kishte porositur Muharremi, i njohur edhe me pseudonimin “Rumi”.

Por këto janë dyshime, thanë për gazetaren Anila Hoxha burime të sigurta, pasi mendohet se atentatorët në ngjarjen e djeshme kanë vepruar me amatorizëm dhe në ngutje, duke lënë pas gjurmë që po vlerësohen nga policia shkencore.

Pyetja që duan të zgjidhin si fillim prokurorët lidhet me dilemën nëse atentati në automjetin ku gjendej edhe prokurori Ndoja ishte i organizuar ndaj tij apo objektiv ishte pasagjeri që ndodhej në sediljen e dytë, Muharremi.

Automjetet kanë qenë njëri pas tjetrit në autostradën Durrës-Tiranë, ndërkohë që mjeti ku ndodhej prokurori ka devijuar pasi kanë nisur të shtënat. Duke qenë se ndodheshin në autostradë ku ecet me shpejtësi, probabiliteti që shënjeshtra të eleminohet është e ulët, shpjegoi për Top Channel një nga kriminalistët që po ndërton skemën e krimit. Kjo do të thotë që atentatorët me shumë mundësi kanë qenë të kontaktuar nga porositës, të cilët mund t’ju kenë vendosur afate për të realizuar eleminimin.

Vetë prokurori Arjan Ndoja, i kontaktuar mbrëmjen e kaluar nga gazetarja Anila Hoxha tha se “nuk ishte ai shënjestra e sulmit të armatosur”. Prokurori tregoi se po ecnin me shpejtësi normale kur befas në drejtim të tyre ishte qëlluar me breshëri, por siç shpjegoi më tej, “gjithçka ndodhi në befasi dhe nuk kishte dalluar asgjë”.

  Ekskluzive – Pista e re/ Atentati dyshohet si pjesë e luftës për kontrollin e Hipotekës së Durrësit

FOTO GALERI
1/13
Në foto: Landi Muharremi, makina që u godit, prokurori Arjan Ndoja

Top Channel