Shtetet e Bashkuara nuk janë të përqendruara në idenë e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara duan që Kosova dhe Serbia të gjejnë një rrugë përpara, që “do të sillte mundësi më të mira për njerëzit në Serbi, për njerëzit në Kosovë dhe për të gjithë rajonin”.

“Nëse nuk ka marrëveshje, nuk lëvizni përpara”, paralajmëron Reeker.

Zoti Reeker, të nisim me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara janë duke treguar një rol dhe interes të shtuar në këtë dialog. Çfarë dimensioni të ri mund t’i japin këtij procesi diplomatët Mathhew Palmer dhe Richard Grenell?

Philip Reeker: Siç e dini, ne e kemi mbështetur dialogun Kosovë-Serbi nga fillimi. I kemi mbështetur përpjekjet e Bashkimit Evropian. Kemi tentuar të jemi partnerë në ato përpjekje. Dhe, mendoj se sekretari (amerikan i Shtetit, Mike) Pompeo e ka dëshmuar këtë me emërimin e Matthew Palmerit – një nga zëvendësit e mi – përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, për t’u përqendruar direkt në këtë çështje.

Presidenti (amerikan, Donald) Trump e ka mbështetur këtë me emërimin e ambasadorit tonë në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të posaçëm të presidentit për negociatat paqësore midis Serbisë dhe Kosovës, për t’i shtuar dimension politik, për të treguar se ne besojmë se ky është një proces i rëndësishëm dhe se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka të mundur për ta ndihmuar këtë proces.

Ju keni qenë për kohë të gjatë i përfshirë në procesin e ndërmjetësimit midis Kosovës dhe Serbisë. Sa reale janë gjasat që këto dy vende të arrijnë marrëveshje paqësore?

Philip Reeker: Besojmë se shanset janë reale. Besojmë se ka vullnet te të dyja palët. Më e rëndësishmja, ka një dëshirë të madhe te të gjithë njerëzit në rajon që të jetojnë në paqe, të gjejnë mënyra për të ecur përpara, me synimin për integrim të plotë në institucionet evropiane dhe transatlantike dhe për të gjetur mënyra për siguri më të mirë, për stabilitet dhe mirëqenie për të gjithë njerëzit në rajon. Unë besoj se kjo është ajo që duan ta shohin edhe udhëheqësit në Serbi, edhe në Kosovë. Çështja është gjetja e dinamikës së duhur, gjetja e zotësisë për të ecur përpara. Dhe, me këtë ka të bëjë e gjithë diplomacia.

Për më shumë se një vit tani, ideja e ndryshimit të kufijve është përfolur shumë në Kosovë. Sa është reale të pritet që Kosova dhe Serbia të pajtohen për kufi të ri?

Philip Reeker: Unë mendoj se ato duhet të shohin se çfarë mund të bëjnë për të lëvizur përpara – jo të shkojnë me ndonjë nocion të paracaktuar – se si mund të jetë një marrëveshje e gjerë për paqe, si mund ta njohin njëra-tjetrën, si mund të punojnë për të gjetur mundësi më të mira për njerëzit e tyre. Kjo i përfshin mundësitë ekonomike që do të vijnë nga tejkalimi i dallimeve të caktuara, nga gjetja e mënyrave për të rritur tregtinë dhe për të tërhequr investime nga jashtë në rajon, edhe më shumë. Kjo është e ardhmja për të gjithë këta njerëz. Kjo është ajo që duan të mbështesin Shtetet e Bashkuara, (pra) atë që dy vendet mund ta bëjnë së bashku për të gjetur rrugën përpara, pa parakushte.

A e mbështesin Shtetet e Bashkuara idenë e ndryshimit të kufijve?

Philip Reeker: Shtetet e Bashkuara e mbështesin bashkëpunimin e dy vendeve përmes dialogut, për të gjetur një rrugë përpara, që do të sillte mundësi më të mira për njerëzit në Serbi, për njerëzit në Kosovë, për të gjithë rajonin. Dhe kjo, sinqerisht, është mirë për Evropën dhe pastaj është mirë për ne, për familjen tonë të gjerë transatlantike, për të qenë në gjendje për të vazhduar (angazhimin) në një situatë më të qëndrueshme, më të sigurt. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e të gjithë njerëzve në rajon dhe me brezat që do të vijnë.

Por, a jeni i shqetësuar me paralajmërimet se ndryshimi i mundshëm i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë mund të ketë efekt domino në rajon?

Mendoj se po këmbëngulni në idenë e ndryshimit të kufijve. Ne nuk jemi të përqendruar këtu. Jemi të përqendruar në atë që dy vendet të gjejnë rrugë përpara dhe të paracaktojnë ide për gjetjen e zgjidhjes. Nuk ka rrugë për ta bërë atë.

Mendoj se është një justifikim i të tjerëve për të mos ecur përpara, kur ata fokusohen në gjëra që imagjinojnë përpara se të ndodhin. Negociatat janë negociata. Dhe ky është kuptimi i dialogut: të ulesh dhe të bisedosh për mundësitë, për ndërtimin e besimit midis dy vendeve. Andaj, ne i kemi ofruar zyrat tona diplomatike, përfaqësuesin e posaçëm, të dërguarin e posaçëm të presidentit, për të ndihmuar në ndërtimin e kësaj dhe për të punuar me kolegët tanë evropianë, për ta lëvizur gjithë procesin dhe rajonin përpara, për një të ardhme më të mirë për secilin atje.

Zoti Reeker, ka spekulime për një lloj konference për paqe midis Kosovës dhe Serbisë, të organizuar nga Shtetet e Bashkuara. A po planifikon Uashingtoni diçka të tillë?

Philip Reeker: Nuk jam në dijeni për ndonjë plan specifik. Varet nga dy palët se çfarë mund të bëjnë për të punuar së bashku. Së voni i kemi pasur zgjedhjet në Kosovë. Jemi duke pritur krijimin e qeverisë atje. Ky është qartazi një hap i rëndësishëm në hapat e ardhshëm të procesit. Procesi i dialogut ka qenë shumë i rëndësishëm në të kaluarën, për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve të caktuara. Duam t’i shohim të dyja vendet që kthehen në tryezë së bashku, në dialog.

A mund të presim ndonjë takim në Uashington?

Philip Reeker: Nuk jam në dijeni për ndonjë takim në Uashington tani. Kam shumë takime në Uashington gjithë kohën. Ajo çfarë duhet të bëjnë dy palët, është të vendosin se si mund të lëvizin përpara. Ne po i ofrojmë zyrat tona dhe mbështetjen e diplomacisë amerikane, së bashku me Bashkimin Evropian, në mënyrë që dy vendet të lëvizin përpara në një agjendë që ato e kanë bërë prioritet.

Duket pak hipotetike, por nëse marrëveshja bllokohet, cilat do të ishin pasojat e vazhdimit të një lloj status quo-je në marrëdhëniet Kosovë-Serbi?

Philip Reeker: Siç e thatë dhe ju, kjo është hipotetike. Andaj, përse shpenzojmë shumë kohë duke folur për (çështje) hipotetike? Nëse nuk ka marrëveshje, ju mbeteni në status quo dhe nuk lëvizni përpara. Vazhdoni të keni paqëndrueshmëri në një rajon që ka nevojë për më shumë qëndrueshmëri. Vazhdoni të lejoni që historia ta drejtojë të ardhmen, në vend se të shikoni kah e ardhmja dhe të bëni përpjekje të formoni një histori të re për rajonin – gjë që ne mendojmë se është shumë e mundshme.

Mendoj se është koha për të ecur përpara, për të gjetur mënyra, nga të cilat njerëzit në Kosovë, njerëzit në Serbi, njerëzit në gjithë Ballkanin Perëndimor mund të kenë më shumë stabilitet dhe, rrjedhimisht, më shumë mundësi për mirëqenie. Për ta bërë këtë, duhet të keni siguri. Është e rëndësishme që njerëzit e rajonit ta pranojnë se duhet të jetojnë së bashku. Gjeografia është realitet. Fqinjtë janë fqinj. Kjo nuk do të ndryshojë. Kjo ka të bëjë me gjetjen e mënyrave për të lëvizur përpara dhe të shfrytëzohet ajo që po ofrohet, në kuptim të mbështetjes ndërkombëtare, për të gjetur zgjidhje dhe përparim në këtë kontest afatgjatë.

Top Channel