Sa herë që shohin avionë apo dëgjojnë zhurma e krisma të ndryshme, fëmijët e kthyer nga Siria shfaqin ndenja frike.

Një gjendje e tillë, vjen si pasojë e traumave që kanë përjetuar gjatë luftës në Siri, tha për Radio Europa e Lirë Valbona Tafilaj, psikiatre dhe koordinatore për mirëqenien dhe shëndetin mendor të fëmijëve dhe grave të kthyera nga Siria.

Tafilaj ishte ndër të parat mjeke që u takuan me këta fëmijë. Sipas saj, shumica prej 74 të miturve tw kthyer Siria në Kosovë prillin e këtij viti kanë shfaqur të tilla simptoma. Si fëmijët, ashtu edhe gratë, thekson ajo, kanë përjetuar trauma gjatë kohës që kanë qëndruar në zonat e konfliktit.

“Tek ata ka shenja të pagjumësisë, të frikës nga krismat apo zhurmat e forta. Kemi pasur fëmijë, të cilët kishin frikë nga avionët e kjo për shkak të luftimeve. Në këtë pjesë, e kemi marrë seriozisht”, është shprehur ajo.

Në kuadër të programeve të ri-integrimit, fëmijët e kthyer nga zonat e luftës, janë duke vazhduar mësimin në disa shkolla të Kosovës. Ministria e Arsimit ne Kosove, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe OSBE-në, po ofron trajnime për mësimdhënës e për psikologë të shkollave, ku vijojnë mësimin nxënësit e kthyer. Javën e fundit të prillit të këtij viti, në Kosovë u kthyen 110 shtetas të saj nga Siria.

Top Channel