Presidenti i Kilit ka anuluar samitin e tregtisë së Apec-ut në nëntor dhe atë për klimën Cop 25 në dhjetor ndërsa qeveria e tij përballet me valën më të madhe të zemërimit politik që nga përfundimi i diktaturës së pinocetit.

Sebastian Pinera e bëri njoftimin të mërkurën pas 12 ditësh protesta masive në të cilat miliona njerëz zbritën në sheshe në shenjë proteste ndaj pabarazisë ekonomike. Të paktën 20 vetë kanë humbur jetën që kur protestat masive filluan dhe ka pak sinjale që mund të flasin për një zbutje të zemërimit pavarësisht se presidenti ka njoftuar marrjen e masave.

Ky ka qenë një vendim shumë i vështirë, një vendim i dhimbshëm, sepse ne plotësisht e kuptojmë rëndësinë e Apec dhe Cop 25 për Kilin dhe për botën – tha Pinera duke shtuar se nuk kishte zgjidhje tjetër. Vendimi i tij rrezikon dëmtimin e përpjekjeve ndërkombëtare për trajtimin e krizës së klimës, me vendet e mëdha emetuese që deri më tani nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të evituar nivelet e rrezikshme të ngrohjes globale.

Bisedimet për klimën, në Kili do të fokusoheshin tek përkeqësimi i shpejtë i kushteve të oqeaneve në botë si edhe tek nxitja e një raundi të ri premtimesh kombëtare për reduktime të emetimeve. Samiti i Apecut ndërkohë do të mblidhte 20 liderë botërorë, përfshirë Donald Trump dhe presidentin kinez Xi Jinping, më 16 dhe 17 nëntor.

Top Channel