Mbi arrestimin e punonjësit të policisë nga Laçi, i cili shiste në Shqipëri sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani ka reaguar ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Në një postim në Facebook, ministri shkruan:

“Pas një operacioni të përbashkët me partnerët gjermanë, u kap në kushte flagrance një punonjës policie, i cili kishte depozituar në shtëpi një mori sendesh shtëpiake të vjedhura në Gjermani nga i vëllai. Meritojnë falënderim të veçantë partnerët gjermanë për rigorozitetin me të cilin ndjekin çdo lloj vjedhjeje, pa i ndarë ato në të vogla dhe të mëdha. Falënderime meritojnë SHÇBA, Prokuroria dhe Policia e Shtetit për bashkëpunimin profesional dhe vullnetin për vetëpastrim nga radhët e personave të inkriminuar apo të padenjë që mund të kenë mbijetuar ende brenda strukturave të veta. Keqardhje për elementë të tillë që pa turp dhe pa dinjitet bien në nivele kaq të ulëta, sa vjedhin deri edhe lugët e huaja, për të nxirë pa të drejtë faqen e mijëra shqiptarëve të tjerë, që jetojnë me punë dhe dinjitet anembanë Europës. Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të informuar çdo lloj dyshimi, edhe për raste të atyre, që kanë humbur dinjitetin dhe vjedhin nëpër Europë. Kjo kategori hajnash meriton përbuzje dhe izolim shoqëror si dhe procedim të rreptë ligjor. Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese do të vijojnë pa asnjë luhatje luftën ndaj të gjithë formave të krimit ????”, shkruan Lleshaj.

  Arrestohet polici nga Laçi, shiste sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani (foto)

Top Channel