Një nga pikëpyetjet më të mëdha, është se kush janë pronarët e koncesionit të RINAS-it, pas shitjeve të aksioneve nga gjermanët në vitin 2016. Në faqen zyrtare të “Tirana International Airport”, në sektorin e njoftimeve për shtyp gjendet njoftimi i datës 7 Tetor 2016.
“ Tirana International Airport njofton se China Everbright Limited një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur ne Hong Kong, merr në zotërim 100% të kapitalit aksionar të TIA-s”
Disa paragrafe më poshtë në këtë njoftim, gjejmë fjalën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të kompanisë Kineze z.Çen Shuang.
Ai thotë ndër të tjera, se blerja e aksioneve në Rinas, shënon lëvizjen e parë të Fondit të Infrastrukturës në Çajna Everbrajt, i cili është në proces themelimi.
Pikërisht kjo frazë, tërheq vëmendje. Pra aksionet e rinasit i bleu një fond investimesh në infrastrukturë, që ishte në proces themelimi.
Historia bëhet më interesante kur hapim faqen zyrtare të kompnisë Kineze. Po të shkojmë tek lista e biznesve jashtë shtetit, aty gjejmë edhe Fondin e Investimeve për Infrastrukturën. Por viti i themelimit të tij është 2017. Pra një fond i themeluar në vitin 2017, bleu aksionet e Rinasit në vitin 2016.
Të dhënat për këtë kompani përmbajnë edhe një absurd tjetër.
Çajna Everbrajt rezulton të jetë një kompani që në fushën e aviacionit, që jep vetëm avionë me qera. Në statusin e saj thuhet që është kompania më e madhe në Kinë që jep avionë me qera.
Por koncensioni i Rinasit ka si objekt ndërtimin, vënien në punë,
operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë
Tereza”.
“Minimalisht ligji i koncesioneve i detyron që të ketë të njëjtin status dhe rkuzita si ajo që e kishte më pare. nuk mund ta lëshosh ti një koncesion që është pronë e shteti shqiptarë, ta lëshosh tek kush të vi i pari nëse ke interesa ekonomike. Shteti duhet të vlerësonte nëse ky që vjen i ka apo jo eksperiencat e duhura për të menaxhuar një aeroport”, tregon për Top Story Ervin Minarolli, ish – Drejtor i Aviacionit Civil.
Po të hyjmë në brendësi të Fondit të Infrastrukturës në Çajna Everbrajt, do të gjejmë se ky fond ka vetëm dy asete në zotërim: Aeroportin e Tiranës dhe një kompani që shpërndan internet me fibër obtike në Hon Kong. Gjithçka duket e çuditshme dhe e dyshimtë.
Një fjali më poshtë, thuhet se këto dy asete, janë një shembull që tregon stilin e investimeve të këtij fondi. Ato kanë aftësinë për të gjeneruar para të thata, pa rrezik për investitorët tanë.
Por cilët janë këta investitorë për të cilët flitet këtu?
“Ky fond ka Brenda vetës edhe disa partner të tjerë, të cilët ne nuk i njohim”, thotë Panajot Soko, ekspert i ekonomisë.
Kjo e bën të qartë se pas këtij fondi investimesh në infrastrukturë qëndrojnë para edhe të njerëzve të tjerë. Para që ndoshta nuk kanë lidhje fare me Çajna Everbrajt. Ata që kinezët i quajnë, investitorët tanë të parrezikuar.
Po të hidhemi tani në linjën tjetër, atë të dokumenteve zyrtare, historia nuk ngjan aspak me këtë që sapo treguam.
Referuar veprimeve para noterit, dokumenteve në QKB dhe kontratave të nënshkruara, Çajna Overbrajt nuk përmendet në asnjë moment. Pra, rezulton që kinezët nuk janë fare pronarët e rinj të Rinas-it.
Nëse hapim ekstraktin e QKB, për Tirana Internejshënëll Eirport, pronare e vetme rezulton një Kompani që quhet “Rill Fortres Prajvat Limited”. Ajo e vetme zotëron 100 % të aksioneve. Dhe ka një kapital prej 1.161.148.885,37 lekësh.
Por të zbresim poshtë në hisotrikun e kompanisë shohim se ndërrimi i pronarit në QKB është bërë në datën 04 nëntor 2016.
Ndërkohë kontrate e shit-blerjes së aksioneve të TIA-s është nënshkruar në 6 tetor 2016. Sipas aktit të tranferimit të kuotave shitësit janë 3: Dy kompanitë Gjermane dhe Fondi Shiptaro-Amerikan i sipërmarrjeve.
Ndërsa Blerësi është “Rill Fortres Prajvat Limited”, me adresë në Singapor.
“Statuti, Tirana Internation Airport, version i përditësuar dt 6 tetor 2016. Shoqëria Tirana International Airport SHPK, zotërohet nga Ortaku i vetëm, shoqëria “Real Fortres Private Limited”, Një shoqëri e organizuar dhe që ekziston në bazë të ligjeve të Singaporit”
Pra, as kinezë dhe as investitorë serioz, por kompania që ka blerë koncesionin e RINAS-it është offshore. Qëllimi i kompanive offshore është që të fshehin pronarin e vërtetë të tyre. Të ndjekësh gjurmët e këtyre pronarëve në këto lloj kompanish është pothuajse e pamundur. Vetë ligjet e shtetit ku janë regjistruar nuk ta bëjnë të mundur.
“Çfarë është offshori? Offshori është një vend, zakonisht janë ishuj të cilat bëjnë regjistrim kompanisht, ku nuk deklarohet kush është pronari i kësaj kompanie. Pra mbahet e fsheht me ligj. Me ligj nuk lejohet të bëhet transparenca e pronarëve të kompanive të ndryshme. Pra këtu shkojnë e regjistrohen të gjithë kompanitë që nuk duan që pronarët e tyre të bëhen publik”, tregon eksperti i ekonomisë Panajot Soko
“Shteti nuk duhet të kishte lejuar kurrsesi që aeroporti i Rinasit ti shitet një kompanie offshorë që nuk dihet se kush e ka. Thuhet që e kanë kinezët me lidhje direkte dhe indirekte, pronari real nuk dihet dhe nuk besoj që do merret vesh ndonjëherë”, thotë Ornela Liperi, Revista Monitor
Mes dokumenteve që kompania “Rill Fortres Prajvat Limited” ka dorëzuar në QKB është edhe kjo faksimile e noterizuar në Singapor, i ardhur në Tiranë pasi ka marrë vulat e konsullatës shqiptare në Pekin. Më pas është përkthyer në shqip këtu në Tiranë pranë noterit Julian Zhelegu. Dokumenti është në fakt regjistri i drejtorëve të kompanisë “Rill Fortres Prajvat Limited”, i miratuar në dt. 12/10/2016.
Pra, Aeroporti i Tiranës, sot është në duart e këtyre drejtorëve. Një britanik, dy kinezë, një Australian dhe një shtetas i Singaporit. Por ne nuk e dimë se kush është pronari që i emëroi.
“Kush janë këto? Mund të jetë kushdo. Mund të jetë djali i një terroristi, djali I Binladenit, djali i Al – Zarkauit”, thotë eksperti i ekonomisë Panajot Soko.
Top Channel