Brexit/ Britania drejt zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor; Deputetët japin “ok”, priten Lordët

29/10/2019 21:31

Britania e Madhe pritet të zhvillojë më 12 dhjetor zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ligjvënësit britanikë votuan që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas ngërçit të krijuar prej muajsh me çështjen Brexit, por që vendimi të bëhet zyrtar duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Lordëve.

Me 438 vota pro, ligjvënësit u shprehën për datën e re të zgjedhjeve në dhjetor, të cilat do të jenë edhe zgjedhjet e para që pas vitit 1923 që zhvillohen në këtë muaj.

Nëse vendimi miratohet edhe në Dhomën e Lordëve, partitë politike do të kenë 5 javë në dispozicion për fushatën elektorale.

“Publikut duhet t’i jepet një zgjidhje mbi të ardhmen e Brexit dhe të vendit”, u shpreh kryeministri Boris Johnson.

Lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn tha: “Këto janë zgjedhje që vijnë një herë për të transformuar vendin tonë”.

Pavarësisht largimit të Theresa May nga posti i kryeministres, as pasuesi i saj, Boris Johnson, nuk i dha zgjidhje çështjes së Brexit. Opozita laburiste kërkon një referendum të dytë mbi vendimin nëse Britania duhet të dalë ose jo nga Bashkimi Evropian, por Johnson e kundërshton këtë ide.

Top Channel