Vitrina e Librit/ ‘Përçmimi’-Një roman mbi zbrazëtinë emocionale të kohës sonë

28/10/2019 10:01

“Përçmimi” është një ekzaminim i pamëshirshëm i dëshpërimit dhe i vetëmashtrimit në zbrazëtinë emocionale të shoqërisë moderne të konsumit.

Romani “Përçmimi” u botua për herë të parë më 1954 dhe përfaqëson një prej etapave kryesore të rrugëtimit e kërkimit të Alberto Moravia-s në botën e borgjezisë italiane të shekullit të kaluar. Rikardo Molteni është dramaturg në profesion, por për shkak të shtrëngesave ekonomike të familjes është i detyruar të punojë si skenarist kinematografik, ndërsa e shoqja, Emilia, ish-daktilografiste, është e dashuruar pas zotërimit të një shtëpie.

Në një Romë borgjeze të viteve ‘50, Rikardo rrëfen se si ndryshojnë ndjenjat e të shoqes ndaj tij, kur në skenë futet bota e kinemasë, e karrierës dhe suksesit. Në krye, ato zbehen dalëngadalë derisa mbërrijnë në atë përçmim të dhembshëm, që ngjan i pakuptueshëm qoftë në sytë e protagonistit, qoftë në ata të lexuesit, por që sidoqoftë, Moravia e zgjedh si titull të librit. Sepse pikërisht përçmimi, i prekshëm në dialogët mes çiftit, do të kthehet në personazh dhe do të ndryshojë rolet e protagonistëve, madje do të bëhet ai vetë protagonist, motor prej të cilit lind çdo veprim dhe reagim i tyre. Miti i “Odisesë” dhe kthimi i Uliksit në shtëpi te Penelopa do të shndërrohet në një përballje dhe analizë të hollë mes qytetarisë dhe barbarizmit, mes normave të nderit dhe njeriut modern. Më 1963, romani u ekranizua nga regjisori i njohur francez Jean-Luc Godard, me aktorë kryesorë Brigitte Bardot dhe Michel Piccoli.

Kritika

Pikërisht te “Përçmimi”, problematika kryesore e Moravia-s gjen shprehjen e vet më të saktë dhe më komplekse, thuajse një enciklopedi që bashkon tematikat e tij të ndryshme.

Edoardo Sanguinetti

“Përçmimi” është një vepër e shkëlqyer dhe trazuese e njërit prej mjeshtrave revolucionarë të letërsisë moderne europiane. Të gjitha cilësitë për të cilat është i njohur Moravia – qartësia e ftohtë shprehëse, vëmendja e tij fine ndaj kompleksitetit psikologjik, hapja e tij ende befasuese ndaj seksit – shfaqen qartazi në historinë e kësaj martese të dështuar. “Përçmimi” është një ekzaminim i pamëshirshëm i dëshpërimit dhe i vetëmashtrimit në zbrazëtinë emocionale të shoqërisë moderne të konsumit.

New York Review Books Classics

I pasur në thelb dhe me kuptime të thella… një arritje e rrallë.

The New York Times

Heronjtë e Moravia-s kërkojnë lumturinë personale, por shkrimtari i shpie thuajse gjithnjë drejt humnerës.[…] ky është shkatërrimi i iluzioneve mbi mundësinë e lumturisë njerëzore… Ndoshta kjo shfaqet më qartë se kurrë në një prej veprave më të mira të Moravias, në romanin “Përçmimi”.

Nga parathënia e Ruf Igorevich Chlodovsky, në botimin e romanit në ish-Bashkimin Sovjetik më 1979.

Autori

Alberto Moravia konsiderohet një prej shkrimtarëve më të mëdhenj italianë të shekullit XX. Ndër të tjera ishte dramaturg, gazetar, skenarist dhe kritik i kinematografisë. Ai njihet si nismëtari i romanit borgjez, përmes të cilit, si mjeshtër i mprehtësisë, thjeshtësisë dhe elegancës stilistike, ka eksploruar pa fund temat e tëhuajëzimit shoqëror, duke nxjerrë në pah hipokrizinë, materializmin dhe varfërinë morale të epokës së tij. Në këtë kuptim, puna e tij të shpie në forma realizmi të pasura me kthjelltësi racionale, krizën.

Titulli: Përçmimi

Titulli në origjinal: Il disprezzo

Autori: Alberto Moravia

Përktheu: Aida Baro

Zhanri: Roman

Data e botimit: tetor, 2019

Numri i faqeve: 232

Çmimi: 800 lekë

Koleksioni: Mozaik

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA