Ferri i zjarreve në Kalifornia nuk ka të ndalur: 180 mijë persona janë evakuar ndërsa guvernatori Gavin Newsom ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si masë parandalimi.Shumica e të shpërngulurve janë nga distrikti Sonoma, në veri të San Fransiskos.

Rreth 3 mijë punonjës janë përfshirë në betejën me flakët, një mision në dukje i pamundur sidomos me disa vatra kokëforta zjarresh. Ndërkohë, miliona banorë të Kalifornisë po përballen me ndërpreje të energjisë elektrike, ndërsa kompania shpërndarëse “Pacific Gas & Electric” vendosi në fundjavë që të fillojë ndërprerjen e energjisë në një shkallë të gjerë. Ndërprerja prek gati 1 milion klientë, përfshi ata në San Françisko dhe rrafshnaltën Sierra.

Gjatë muajit të kaluar, kjo kompani mori masa të ngjashme në përpjekje për të ndaluar përhapjen e zjarreve. “Pacific Gas & Electric” po shkon drejt falimentimit për shkak të përgjegjësive lidhur me zjarret e mëdha të kohëve të fundit, përfshi atë të vitit të kaluar që shkaktoi 85 viktima në qytetin Paradise, në veri të Kalifornisë.

Ndërkohë, shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se erërat që po ushqejnë zjarret, që shpesh quhen Santa Ana ose Diablo, mund të arrijnë shpejtësi të mëdha e të shkaktojnë shkëndija tek linjat elektrike.

Irida Vasia

Top Channel