Në prag të samitit të fundit të BE, Parlamenti Evropian rrëzoi kandidaten e Emmanuel Macronit për KE. Përgjigjja e Macronit, bllokimi i proceseve në BE nuk e nxjerr atë nga situata, shkruan Auron Dodi.

Emmanuel Macroni e përjetoi si fyerje prestigji faktin që macronistja e fortë, Sylvie Goulard, të cilën ai e propozoi për Komisionin Evropian, u refuzua nga Parlamenti Evropian. Pasi shprehu habinë në publik (“dua të marr vesh, çfarë ndodhi?!”), Presidenti francez bëri përgjegjëse në të njëjtën frymë Ursula von der Leyen-in, kryetaren gjermane të Komisionit të ri Evropian. Ai tha se ajo nuk e mbajti fjalën. Por sipas investigimeve të medieve gjermane dhe evropiane, e vërteta nuk është kaq e thjeshtë.

Shkaqe për refuzimin e francezes

Shkaqet kanë të bëjnë, së pari, me kandidaten franceze vetë: para dy vjetësh Sylvie Goulard u detyrua të japë dorëheqjen si ministre e Mbrojtjes e Francës, për shkak të kritikës se kishte marrë pagesa për një punë fiktive. Nuk përjashtohet në parim mundësia që këtë çështje ta hetojë drejtësia franceze. E pyetur në njërin nga dëgjimit në Parlamentin Evropian se a do të jepte dorëheqje si Komisionere, po ta padisë për punën fiktive drejtësia franceze, Goulard kundërshtoi. Ky ishte njëri nga shkaqet që solli refuzim të gjerë për kandidaten e Macronit, citohen në mediat gjermane europarlamentarë të pranishëm në votim.

Së dyti, refuzimi ushqehet te bllokimi që i bëri Macroni kandidimit të gjermanit Manfred Weber, për kryetar të Komisionit Evropian. Weberi, që në Parlamentin Evropian kryeson grupin më të madh parlamentar, atë të Partive Popullore Evropiane bëri fushatë në zgjedhet evropiane dhe u propozua nga parlamentarët për këtë post.

Por Macroni nguli këmbë që Weberi nuk e paraqet dot si duhet Evropën në parketet diplomatike. Revista gjermane “Der Spiegel” shkruan se Weberi kishte kështu arsye të mos e ndihmonte, kandidaten me probleme të Macronit.

Veç Weberit, kritik ndaj kandidates së Macronit qenë eurodeputetë lindorë, një pjesë e të cilëve janë bërë skeptikë ndaj Macronit, që kur ai do të afrohet me Rusinë. Mediat gjermane shkruajnë edhe se aleatja e ngushtë e Manfred Weberit, Monika Hohlmeier (e bija e ish-kryeministrit bavarez Franc Jozef Shtraus), gjithashtu e kundërshtoi francezen. Kur refuzuam hungarezin dhe rumunen për konflikt të mundshëm interesash, pse duhet të lejojmë francezen? citohet Hohlmeier.

Pse nuk e bindi Gjermania Weberin?

Sipas medieve duket se von der Leyen-i nuk e ka plotësisht nën ndikim Manfred Weber-in. Ka politikanë që edhe e kuptojnë hidhërimin e tij për refuzimin nga Franca. Refuzimi i Weberit nga Macroni qe një sfidë publike franceze edhe për Gjermaninë. (Këtë Berlini atëherë e gëlltiti edhe duke kujtuar miratimin e ardhshëm të buxhetit të BE: Gjermania duhet të paguajë pas Brexitit miliarda euro më shumë në këtë buxhet dhe kërkon rabat, kurse Franca është kundërshtarja kryesore për këtë).

Megjithë këtë: sipas Spiegel-it, von der Leyen-i u interesua për gjendjen para votimit te Manfred Weberi. Dhe ai e siguroi që francezja do të trajtohet me korrektësi. Fakt është që francezja Goulard u kundërshtua nga gati të gjitha grupet parlamentare në Parlamentin Evropian. Mori 82 vota kundër dhe vetëm 29 vota pro, me një abstenim.

A vazhdon revoltimi i Macronit me Gjermaninë?

Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, në BE ka vetëm një shtet të fuqishëm mjaft, sa të bëhet kundërpeshë ndaj Gjermanisë: Franca. Është me interes të shihet, ku do ta verë në të ardhmen pikërëndesën Macroni: te kundërpesha ndaj Gjermanisë apo te aleanca me fqinjin e fuqishëm.

Si politikan realist, Emmanuel Macroni nuk duhet të jetë vërtet i zemëruar me Gjermaninë. Pasi e di se pa Gjermaninë nuk e miraton dot në Parlamentin Evropian as Komisionerin e ri francez.

Për çdo eventualitet, Macroni merr masa: kështu ai bllokoi në samitin e fundit të BE projektin e mbrojtur qartësisht nga Gjermania dhe shumica e shteteve të BE: nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Natyrisht, tek shtetet ballkanike, problemet nuk duhet t’i kërkosh me lupë. Por Macronit i duhet Gjermania (e aleatë të tjerë), për miratimin në Parlamentin Evropian të kandidaturës së re franceze për Komisionin: i duhet megjithatë me një angazhim më efektiv pro tij.

Kjo pasi Macroni nuk ka bazë të gjerë mbështetje në Parlamentin Evropian. Lëvizja e tij është pjesë e grupimit liberal, që nuk është njëri ndër dy grupet e mëdha.

Parlamenti Evropian tregon pak simpati për Macronin. Parlamentarët i dhanë atij një shuplakë një herë, me refuzimin e kandidates së tij Goulard. Ndoshta edhe për t’i treguar se nuk e pranojnë një lloj mospërfilljeje, që duket se ai ka ndaj tyre. Por refuzimin ata mund ta përsërisin, edhe me kandidatin e ri të tij për Komisioner.

A pritet mosrespektim nga Parlamenti Evropian edhe i vullneteve të Gjermanisë e të Francës si shtete?

Eurodeputetët gjermanë janë në numër shumë të madh në Parlamentin Evropian. Megjithatë kjo nuk përjashtohet. Pas zgjedhjeve evropiane, Parlamenti Evropian është fragmentarizuar politikisht. Konservatorët në partitë popullore dhe socialistët janë ende grupet më të mëdha, por miratimet nuk janë më thjesht punë teknike. Shumicat e votave duhen siguruar me shumë punë bindëse. Këtë punë zakonisht e bëjnë kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare.

Macroni e quajti të natyrshme të refuzojë në samitin e BE nisjen e negociatave me dy shtete të vogla ballkanike – edhe nga droja prej emocioneve të populistëve në Francë. Parlamenti Evropian e quajti të natyrshme të refuzojë pas dy dëgjimeve kandidaten e tij – që Macroni t’i marrë seriozisht emocionet e të gjithë parlamentarëve./DW

Top Channel