Një helikopter është nisur nga Tirana për të marrë një prej nxënësve të gjimnazit në Shupenzë të Dibrës, e cila u helmua mesditën e sotme. E reja do të marrë mjekim më të specializuar në spitalin e traumës në kryeqytet.

Ndërkohë, raportohet se është stabilizuar gjendja e nëntë nxënësve të tjerë që janë të shtruar në spitalet e Peshkopisë dhe të Bulqizës.

Sipas korrespondetit të Top Channel, Dëfrim Karaj, ende nuk dihet nëse bëhet fjalë realisht për një rast helmimi masiv.

Jashtë kamerave, nxënësit shprehen se ishin në pushimin e gjatë dhe kur u futën në klasë ndjenë aromën e një parfumi.

Nga të dhënat paraprake dhe jo zyrtare dyshohet se brenda ambienteve të shkollës është përdorur një spraj, çka ka shkaktuar probleme te disa nxënës.

Top Channel