Një grup turistësh pijnë ujë në një hotel me pesë yje në Kathmandu, pa e ditur se gotat që kanë në dorë kanë qenë dikur shishe të marra nga mbeturinat në malin Everest, të lëna nga alpinistët që përpiqeshin të ngjiteshin në majë.

Në shtëpitë në kryeqytetin nepalez, sendet e ricikluara, që nga tasat e deri tek llambat, dalin nga mbeturinat e Everestit dhe po përhapen gjithnjë e më shumë ndërkohë që autoritetet dhe bizneset tentojnë të luftojnë dëmet e shkaktuara nga dekada alpinizëm komercial.

Tonelata me mbeturina, përfshirë bombula gazi, shishe, plastikë dhe pajisje të hedhura alpinizmi, kanë mbushur malin që është cilësuar edhe si fusha e mbeturinave më e lartë në botë. Mbeturinat nuk duhen çuar dëm – thonë autoritetet lokale. Sipas tyre, merret një përzierje materialesh nga Everesti, alumin, xham, plastikë, hekur, dhe të gjitha riciklohen duke marrë një tjetër vlerë.

Pas kritikave të ashpra për gjendjen e një prej burimeve më të mëdha natyrore, qeveria e Nepalit dhe grupet e alpinizmit këtë vit, organizuan një operacion gjashtë javor për pastrim. Duke u ngjitur më shumë se 8 mijë metra mbi kampin bazë, deri në kampin më pranë majës, një ekip prej 14 alpinistësh mundi të mbledhë më shumë se 10 tonë mbeturina që më pas u shpërndanë në qendrat e riciklimit në Kathmandu. Në këtë mënyrë, Nepali po i tregon botës, se plehrat mund të kthehen në një thesar.

 

Top Channel