Përdorimi i qeseve të tilla jashtë standardeve, që janë të dëmshme për mjedisin mund t’u kushtojë shtrenjtë qytetarëve shqiptarë, qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj i cili parashikon gjoba nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë për përdoruesit e qeseve të pakontrollura dhe jashtë standardeve.

Kurse gjoba për prodhuesit, tregtuesit apo importuesit është më e kripur dhe shkon nga 1 milion lekë deri në 1,5 milionë lekë. Në fakt ky përcaktim ka qenë sanksionuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili hiqte nga përdorimi qeset plastike njëpërdorimshme të dëmshme për mjedisin. Por kësaj radhe është menduar që gjobat të vendosen në ligjin për menaxhimin e mbetjeve.

Ndryshimet ligjore priten të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, ndërkohë që duhet të shoqërohen edhe me aktet e tjera nënligjore.  Në fakt për qytetarët është pothuajse e pamundur për të kuptuar nëse një qese plastike është brenda standardeve të kërkuara apo jo, por qeveria ka menduar se ndryshimet ligjore do të ulin përdorimin e qeseve..

Ndërkohë sipas statistikave, mesatarisht një familje përdor 8 qese çdo ditë. Vetëm në një ditë në vendin tonë përdoren 4.5 milionë qese plastike. Pamjet e qeseve të hedhura kudo në rrugë , brigjeve të lumejve e deri në plazhe e parqe, janë treguesit e qartë të efektit zinxhir që ka përdorimi i pakontrolluar i qeseve. Ekspertët vlerësojnë se ndotja që shkaktohet nga qeset  plastike është e frikshme  pasi nevojiten mbi 200 vite që një qese të shpërbëhet.

Top Channel