Një shprehje thotë, se lumi fle, por si mund të flejë një lumë, kur mbi vete ka këtë bombë ekologjike. Lana është një nga 24 lumenjtë e vendit tonë.

Ajo që është me e trishtueshme në këtë histori është, se procesi i ndotjes nuk ndalon, vazhdon ditë pas dite. Në njëri krah të lumit shikojmë ambalazhe kartoni dhe gjithfarë mbeturinash, të hedhura nga banoret dhe bizneset pranë. Ndërsa në krahun tjetër vërejmë një grumbull bërsishë. Pasi kanë nxjerrë rakinë, banorë të zonës, e kanë parë të arsyeshme, që bërsitë t’i hedhin në Lanë, në këtë kosh gjigant.

“Këtu është vdekje, nuk rrihet nga era. Është bllokuar mbi dy-tre herë, uji vjen deri lart kur ka shumë reshje. Bashkia duhet të vendosë më shumë kazanë plehrash, thotë një zotëri. Nuk kam hedhur asnjëherë plehra këtu, por ka sa të duash që e bëjnë këtë gjë, thotë një zonjë. Nuk flemë dot gjumë nga era, nga mushkonjat. Kur morëm shtëpinë këtu, na thanë që do rregullohej Lana. Kur dal këtu, më vjen për të vjellë, tregon një zonjë”, janë shprehur disa qytetarë.

Ndotësit më të mëdhenj janë industritë, bizneset, dhe ne vete. Shikoni pak se çfarë gjen këtu, bebelina të përdorura, shishe kosi, pastruese tapetesh, ambalazh zbardhuesi etj. Ndërkohë që koshi ndodhet pak metra larg.

Juli Ristani

Top Channel