Ditën e sotme gjatë një deklarate Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu deklaroi se ishte zbuluar një celulë terroriste, të cilët kishin pasur për qëllim që të kryenin akte terroriste gjatë festës së Novruzit më 22 mars 2018.

Një nga personat e akuzuar si pjesë e kësaj organizate nuk është i panjohur për autoritetet shqiptare pasi ai ka qenë i arrestuar më parë në vitin 2011.

Ai u prangos më 18 shkurt të vitit 2011, një arrestim ky i finalizuar për llogari të shtetit gjerman.

Turgut akuzohej nga autoritetet gjermane për trafikimin e 1 ton droge, ndërkohë që kërkohet edhe nga Rumania, Austria, Holanda e Italia. Por Gjykata e Apelit të Tiranës e liroi atë. Trupa e gjyqtarëve përbëhej nga Gjin Gjoni kryesues dhe me anëtarë Hysni Demiraj e Agron Papajani, vendosi lënien e turkut në arrest shtëpie, duke ndryshuar masën e vendosur fillimisht nga shkalla e parë me 40 ditë burg.

Pas këtij vendimi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë kërkoi nisjen e kontrolleve në Gjykatën e Apelit, përfshirë edhe hetimin e treshes së trupit gjykues. Autoritetet e drejtësisë gjermane kishin kërkuar zgjatjen e afateve të paraburgimit me qëllim ekstradimin e Turgut, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh nga Gjykata. Lënia e tij në arrest shtëpie nga Apeli, bëri që turku të fitojë lirinë, edhe pse konsiderohej njeriu më i kërkuar në kontinent, si kreu i një grupi të fuqishëm të trafikut të drogës.

Si vepronte rrjeti terrorist në Shqipëri
Celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai inicioi dhe zbatoi tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. PEYMAN menaxhon shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste.

Dy vitet e fundit, iraniani kishte bashkëpunuar me turkun Turgut, i cili veç akuzave për trafik ndërkombëtar droge ka lidhje edhe me krimin e organizuar në Shqipëri.

Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh MALEK ZADEH, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale. MALEK ZADEH (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam TURGUT, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN-it dhe të Forcave QUDS. TURGUT, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. TURGUT ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. TURGUT është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018.

Operativët kriminelë, me bazë në Ballkan, që janë vartës të TURGUT-it ose të një trafikanti droge turk të lidhur me të, nga viti 2018, janë dërguar në Shqipëri për të avancuar planifikimin e sulmeve kundër MEK-ut, siç ishte diktuar nga MALEK ZADEH dhe Forcat QUDS. Autoritetet shqiptare i kanë identifikuar këta individë dhe informacioni i siguruar nga informatorë nga brenda organizatave kriminale i ka lejuar autoriteteve shqiptare që të parandalojnë planin e marsit 2018 dhe planifikimet eventuale për sulme nga figurat e krimit të organizuar që kishin si objektiv MEK-un për llogari të regjimit Iranian.

Forcat QUDS janë krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit. Forcat QUDS drejtohen nga Qassem SOLEIMANI, i cili është përgjegjës, mes të tjerash, për aktivitetin e Iranit në Jemen, Irak, Siri dhe Liban. Celula terroriste i përkiste, siç u përmend, njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS, një njësi operacionale e konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit.

Brenda kësaj njësie, ka një nënnjësi që merret ekskluzivisht me organizatat që janë kundër regjimit. Modus Operandi i njësisë përfshin menaxhimin nga distanca të forcave të treta (proxy), zakonisht kriminelë dhe anëtarë të mafies me të kaluar të ndryshme, në mënyrë që të mbulohet përfshirja e Iranit në terrorizëm. Duke përdorur këtë Modus Operandi, MOIS (Ministry of Intelligence and Security – Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë) të Iranit ka vrarë të paktën 4 opozitarë të regjimit në Holandë, Gjermani dhe Turqi dhe ka organizuar sulme të pasuksesshme, sikurse ishte sulmi i fundit i mbetur në tentativë kundër konferencës së MEK-ut në Paris, në Qershor 2018.

Top Channel