Të tri partitë pro pavarësisë së Katalonisë, të cilat kanë 70 nga 135 vendet në parlamentin rajonal të Barcelonës, ranë dakord për tekstin e një rezolute që synon të vazhdojë rrugën drejt vetëvendosjes.

Duke vepruar kështu, ata dhanë një përgjigje të përbashkët ndaj vendimit të Gjykatës Supreme spanjolle, e cila dënoi 12 udhëheqësit katalanas njëmbëdhjetë ditë më parë për organizimin e një referendumi të ndaluar të pavarësisë më 2017.

Deklarata nuk është një dokument detyrues, por avokatët katalanas të pavarësisë duan të tregojnë se referendumi është vullneti i popullit.

Teksti “mbron të drejtën e vetëvendosjes dhe sovranitetit të popullit të Katalonjës, në mënyrë që të mund të përcaktojë të ardhmen e tij politike”.

Së bashku për Kataloninë (JxCat), E majta Republikane Katalanase (ERC) dhe Kandidatura për Unitet Kombëtar (CUP) do t’i dërgojnë një rezolutë në parlamentin Katalonisë për miratim.

Ajo është në kundërshtim me dispozitat e Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese, të cilat deklaruan në gjykimet e tyre se kushtetuta spanjolle nuk lejon një referendum për pavarësinë.

Por kryetari i parlamentit katalanas Roger Torrent, një anëtar i ERC, miratoi votimin mbi deklaratën.

“Ne do të marrim të gjitha pasojat e mundshme, si juridike ashtu edhe personale, në mënyrë që gjithçka të diskutohet në parlament,” tha Torrent.

Partitë e opozitës që mbrojnë integritetin e Spanjës në Parlamentin katalanas kanë thënë se deklarata është një “perde tymi”, në mënyrë që të mbulojë dallimet midis tre partive që janë pro pavarësisë së Katalonisë.

Top Channel