Një sagë e ditëve tona mbushur me humor gri
Një roman me humorin gri, me personazhe që na ngjajnë se i njohim, aq sa mëdyshemi se mos janë vetvetet tona të maskuara. Realizmi çehovian, ironia e pa mëshirshme ndaj alienimeve dhe shtirjeve, stili i veçantë e shpotitës, etj., e çojnë këtë roman mes arritjeve më të mira të të gjithë botimeve në letërsinë e postdiktaturës. Shkrimtari Ylljet Aliçka, është autor i disa botimeve në gjuhë shqipe dhe të huaj.

Aty nga fundi i vitit 1990, poeti i njohur Beniamin Bendo hyri në periudhën më trimërore të krijimtarisë së tij, atë të disidencës së hapur kundër regjimit, koincidencë e pastër kjo me kohën kur vetë regjimi komunist po përjetonte grahmat e fundit dhe gradualisht, po shkohej drejt një zbrazëtie pushteti. Pa e ditur as vetë se po bënte trimëri, atë natë kur studentët e revoltuar hynë në grevë urie, Beniamini shkroi një poezi disidente me metafora të natyrës gjeografike. Cfarë ndodhi më tej? Shkrimtari i Y. Alicka për Vitrinën e Librit, shpjegon se jeta e poetëve është plot të papritura ndaj dhe intrigat e romanit nisin me radhë. Dikush mund të hedhë dyshimin se ndoshta kjo kthesë poetike iu imponua nga rrethanat. Nuk mund të thuash me siguri nëse ai ishte trim apo frikacak. Ndoshta i kishte të dyja dhe me gjasë, as ai vetë nuk e dinte këtë gjë. Të paktën, këtë përshtypje të krijonin luhatjet e muzës së tij.

Ky përshkrim kaq personal, edhe pse është në vetën e tretë, krijon reminishencë te lexuesi shqiptar, por për një tjetër nis menjëherë shqetësimi i brendshëm çfarë do të ndodhë me Beniamin Bendon, poetin e njohur që përmbys papritur muzën në çastet e fundit të rënies së komunizmit me fatin e kryeqytetit të “përmbysur”… Aliçka shton më tej se: “Një kryeqytet në diktaturë ka vlerat dhe antivlerat përkatëse, që e dallojnë atë nga po ky kryeqytet në mungesë diktature, …mbart shenjat përkatëse në përditshmërinë, mendimet, sjelljet, referencat e saj intelektuale, kulturore dhe mënyrën e jetesës së kryeqytetasve, duke kushtëzuar  frymën dhe shpirtin e qytetarëve të saj.” Në fund cila është paradigma? Lexuesi e zbulon vetë…

Të dhënat e librit

Fletët 264
ISBN 9789928261847
V. Bot 2019
Vendodhja Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha mbi 14 vjeç
Statusi I ri
Numri i botimeve I parë

 

Top Channel