“Parlamenti duhet të votojë pa humbur kohë marrëveshjen e Brexitit”, tha qeveria britanike, pasi deputetët i shkaktuan një telash jo të vogël kryeministrit Johnson, të shtunën.

Ky i fundit u detyrua me ligj të dërgojë një letër në të cilën i kërkon BE një tjetër shtyrje të Brexitit, por nuk e firmosi atë. Kryeministri tani do që deputetët të thonë një po ose një jo të qartë për marrëveshjen e arritur në Bruksel, brenda ditës së sotme.

Do të jetë tani në dorën e kryetarit të parlamentit John Bercow, të vendosë nëse do të lejojë apo jo votimin. Johnson arriti një marrëveshje të re Brexiti me BE-në javën e shkuar, por ajo duhet të marrë miratimin e parlamentit britanik.

Tani, BE po merr në konsideratë mënyrën se si do ti përgjigjet kërkesës për shtyrje, por ka thënë se zhvillimet e të shtunës nuk do të thonë se marrëveshja është refuzuar.

Pas arritjes së marrëveshjes së re të Brexitit me BE, javën e kaluar, kryeministri tha se do ta kalonte menjëherë në parlament, pa marrë parasysh pengesat që do ta prisnin. Të dielën sidoqoftë, ministrat insistuan se qeveria besonte se vazhdonte të kishte mbështetje të mjaftueshme në dhomën e Komunëve për të miratuar marrëveshjen, dhe se mbetej e fiksuar tek data 31 tetor për daljen e vendit nga BE.

Top Channel