Duket sikur nuk do të marrin fund trazirat në Kili, ku prej ditësh tensionet janë në qiell si pasojë e protestave të filluara në Santiago, por që shpejt u përhapën në të gjithë vendin për shkak të rritjes së çmimeve në transportin publik.
Është shpallur gjendja e emergjencës për 15 ditë në vend dhe shtetrrethim nga ora 22.00 deri në 7 të mëngjesit, në kryeqytet. Në trazira ndërkohë kanë humbur jetën të paktën 10 persona. Gjendja e emergjencës i jep autoriteteve fuqinë e kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe tubimeve.
Policia ka raportuar ndërkohë për 156 agjentë dhe 11 civilë të plagosur dhe më shumë se 300 të arrestuar. Eventet kulturore dhe sportive janë anuluar ndërsa dyqanet kanë qëndruar të mbyllur, njësoj si i gjithë rrjeti i transportit. Klima e kaosit që ndjehet në vend ka çuar në grabitje supermarketesh dhe dyqanesh.
Sipas mediave lokale tre persona kanë mbetur të vrarë në një zjarr që shpërtheu në një supermarket në komunën San Bernardo; zjarrfikësit kanë gjetur dy trupa të karbonizuar ndërsa një i tretë ka humbur jetën në spital. Të paktën pesë persona kanë vdekur në një zjarr në një fabrikë veshjesh të plaçkitur që më pas iu vu zjarri. Dy viktima të tjera u regjistruan gjatë grabitjes së magazinave të materialeve të ndërtimit. Presidenti i Kilit, Sebastian Puinera, ka njoftuar ndërkohë pezullimin e rritjes së çmimit të biletave të metrosë, i fundit në një seri rritjesh që edhe coi në shpërthimin e zemërimit popullor.
Top Channel