Parlamenti britanik, i mbledhur në ditë të shtunë, gjë që ka ndodhur më parë vetëm në kohë lufte, votoi për të shtyrë një vendim mbi marrëveshjen e arritur nga kryeministri Boris Johnson dhe liderët e Bashkimit Evropian për Brexit-in, duke thënë se kanë nevojë për më shumë kohë për të studiuar përmbajtjen e saj, para skandencës së 31 tetorit.

Ligjvënësit mbështetën një amendament që efektivisht detyron qeverinë të kërkojë një shtyrje tjetër të afatit, deri në janar të vitit të ardhshëm, ndërkohë që ata shqyrtojnë legjislacionin e brendshëm të propozuar për të zbatuar marrëveshjen me Brukselin.

Ndonëse vota detyron kryeministrin Johnson që t’i kërkojë Brukselit, brenda mbrëmjes një shtyrje të re të afatit, përtej 31 tetorit, ai këmbëngul se nuk do të negociojë shtyrje tjetër. Ai tha se do të vijojë me strategjinë e tij të Brexitit pavarësisht se deputetët mbështetën parimin e një shtyrje tjetër të procesit. Ai madje u angazhua se do të paraqesë të gjithë legjislacionin e nevojshëm për implementimin e marrëveshjes së tij, në parlament, javën e ardhshme.

“Unë nuk do të negocioj një shtyrje me BE. Madje as ligji nuk më detyron ta bëj këtë. Unë do t’u them miqve dhe kolegëve të mi në bashkimin evropian, dhe kujtdo tjetër atë që kam thënë në 88 ditët e mia si kryeministër, se cdo vonesë tjetër është dicka e keqe për këtë vend”, tha Johnson.

Lideri i opozitës laburiste, Jeremy Corbyn, e ka mbështetur shtyrjen që iu imponua Boris Johnson dhe e ftoi të respektonte ligjin që përjashton daljen pa marrëveshje e të kërkojë një shtyrje të re. Në të njëjtën linjë ishin edhe liberal demokrati jo Swinson e indipendentisti skocez Ian Blackford, sipas të cilit Johnson nuk qëndron mbi ligjin dhe do të dalë para gjykatës nëse nuk do të kërkojë shtyrjen.

E ndërkohë që ligjvënësit në parlament vendosnin me shpatulla pas muri kryeministrin, në Londër, u mbajt një manifestim gjigand, në të cilin u kërkua një referendum i dytë mbi Brexitin. Sipas organizatorëve, në shesh ishin më shumë se një milionë persona që kërkojnë që mbretëria e bashkuar të mbetet pjesë e bashkimit evropian. Shumë prej manifestuesve mbanin në duar pankarta ku kërkohej ndalimi i procesit të divorcit nga Brukseli.

Top Channel