Merkel- Makron, takim për negociatat/ Çfarë do bëhet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

16/10/2019 11:44

Përpara takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së që do të mbahet në datat 17 dhe 18 tetor në Bruksel, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron do të përpiqen të bashkërendojnë qëndrimet e Francës dhe Gjermanisë.

Presidenti francez dhe kancelarja gjermane do t’i zhvillojnë bisedimet në qytetin francez jugperëndimor të Toulouse-s. Ata do të fokusohen tek mënyrat se si të ecet përpara me projektet evropiane në politikën e jashtme, mbrojtjen dhe energjinë. Merkel tha se  bashkë me Macronin dëshiron të shkojë në në Bruksel me “sa më shumë pozicione të përbashkëta, që të jetë e mundur”.

Vetëm një ditë më parë, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, të mbledhur në Luksemburg, dështuan në arritjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriut, duke ja deleguar çështjen Këshillit Evropian. Në fund të takimit, ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen shprehu zhgënjim për mosarritjen e një vendimi unanim lidhur me dy vende të një rajoni të cilin ajo e përcaktoi si një “lagje të BE-së”. Megjithatë ajo u shpreh optimiste për një marrëveshje në 17 dhe 18 tetor. Zhgënjimi u ndje dhe në tonet e Komisionerit në largim të zgjerimit, Johannes Hahn.

“Ky nuk është një moment lavdie për Europën. Shpresoj ende që të mund të ketë një vendim pozitiv brenda kësaj jave dhe bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mund të hapen”, u shpreh Hahn.

Hahn tha se 25 nga 28 vende anëtare kishin qenë në favor të çeljes se negociatave. Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë beri një përpjekje të fundit duke i drejtuar një thirrje vendeve anëtare të bllokut evropian që t’i japin njëzëri dritën jeshile negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke kujtuar se në të dy vendet ekziston vetëdija e plotë që çelja e bisedimeve nuk nënkupton një anëtarësim automatik, por marrëdhënie më të afërt e mbikëqyrje më të rreptë në zbatimin e reformave.

Top Channel