Një çift me banim në Londër mund të dëbohen nga vendi e të dërgohen në Indi, pasi kanë organizuar vrasjen e djalit të birësuar për t’i marrë paratë e sigurimeve.
Dy indianët londinezë kishin udhëtuar në një fshat në vendin e origjinës ku kishin nxjerrë një njoftim në gazeta se donin të birësonin një fëmijë e ta rrisnin në Londër.
Ata gjetën Gopalin, 11-vjeç, një fëmijë që nuk i kishte prindërit. Ai mbahej nga e motra dhe bashkëshorti i saj në një fermë. E motra shpresonte që vëllai i vogël do të kishte një jetë më të mirë në Londër.
Por pasi bënë procedurat e birësimit në Indi, çifti bëri dhe një sigurim për jetën e djalit, dhe paguan me dy këste variantin maksimal të sigurimeve, që shkonte në 15 mijë dollarë. Në rast se fëmija vdiste, ata do të merrnin 150 mijë dollarë.
Më pas u kthyen në Angli dhe supozohej të prisnin ardhjen e fëmijës që kishin birësuar. Por teksa 11-vjeçari ishte ende duke u marrë me letrat, në pritje të së drejtës për të udhëtuar te familja e re, atij iu zu pusi nga disa vrasës me pagesë, mbi motoçikletë, dhe u godit disa herë me thika. Kunati i Gopalit, burri i motrës që e mbante në shtëpi, u përpoq ta shpëtonte por edhe ai u godit gjithashtu me thika. Të dy humbën jetën në spital pas disa ditësh.
Policia indiane arriti të arrestojë një person rreth ngjarjes, i cili rrëfeu dhe katër të dyshuar në total. Hetimi, ndërkohë, është në vazhdim. Çifti u arrestua në Londër por gjykatësit anglezë janë në mëdyshje. Nëse dëbohen në Indi, do të dënoheshin me burgim të përjetshëm pa të drejtë faljeje, gjë që bie ndesh me ligjet në Angli.
Aj.P
Top Channel