Raundi i radhës i kualifikueseve të Euro 2020 ka rezervuar edhe sfidën mes Francës dhe Turqisë, e vlefshme për grupin H ku ndodhet edhe skuadra jonë përfaqësueses.

Kjo sfidë vjen në një atmosferë tensionesh politike pas sulmeve të Turqisë ndaj kurdëve në Sirinë Veriore me presidentin Macron që ka përsëritur kërkesën e tij ndaj autoriteteve turke që të ndërpresin këto sulme. Trajneri i kampionëve të Francës, Didier Deschams theksoi që këto tensione diplomatike të qëndrojnë larg kësaj sfide që është thjesht një eveniment sportiv.

“Problemet gjeopolitike ekzistojnë. A do të kenë pasoja? Kjo lidhet me kontekstin e ndeshjes, por ne nuk do të mendojmë për këtë. Jemi në botën sportive, një ndeshje futbolli në një stadium futbolli dhe ne do të sigurohemi të jemi të fokusuar vetëm te lojë”, shprehet trajner i Francës, Didier Deschamps.

Skuadra turke në ditët e fundit është vënë në qendër të polemikave për festimin e futbollistëve të saj pas golit të Tosun ndaj kombëtares shqiptare me përshëndetje ushtarake që tërhoqi edhe vëmendjen e UEFA.

Por trajneri Senol Gunes refuzoi të përfshihet në një debat politik në lidhje me këtë episod dhe tha se pret që atmosfera e kësaj ndeshjeje të jetë fantastike. Në stadium do të jenë 78 mijë persona, 3800 nga të cilët janë tifozë turq.

Franca dhe Turqia janë me kuotë të barabartë pikësh, 18, dhe janë shumë pranë kualifikimit. Në ndeshjen e parë Turqia fitoi ndaj Francës 2-0 dhe është në krye të renditjes, kryesim të cilin Blutë e Deschamps do të kërkojnë t’ia rrëmbejnë.

Top Channel