Macron flet për “krizë politike”/ Tensione pas rrëzimit të kandidaturës për komisioner në BE

12/10/2019 12:59

Pas humbjes së kandidates franceze për në Komisionin e BE, Sylvie Goulard, presidenti i Francës e ka rritur presionin ndaj presidentes së ardhshme të Komisionit të BE-së, gjermanes Ursula von der Leyen.

Emmanuel Macron ka ngritur tonet duke ka paralajmëruar një “krizë politike”.

“Ka një Komision të ri, një Parlament të ri Europian (…) që të dy po konfrontohen me një krizë, të cilën ne nuk duhet ta lejojmë të avancojë”, u shpreh ai.

“Unë besoj, se është e rëndësishme të kemi një komision të fortë, që të mund t’i realizojë projektet ambicioze”, ka shtuar shefi i Elizesë.

Macron bëri thirrje që të kapërcehen tensionet. Shkak i zemërimit të tij u bë refuzimi që i bëri Parlamenti Europian të enjten kandidates franceze ish-ministren e Mbrojtjes, Sylvie Goulard, për Komisionin e ri të BE-së.

Ajo ishte propozuar të drejtonte sektorin e Industrisë dhe Tregut të Brendshëm në Komisionin e BE-së. Një problem për të ishin ndër të tjera edhe hetimet lidhur me një aferë për punësim të rremë, e cila e detyroi të tërhiqej nga posti i ministres së Mbrojtjes në vitin 2017.

Por Macron bëri drejtpërdrejt përgjegjëse për këtë dështim presidenten e ardhshme të Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Ai tha, se ajo vetë kishte insistuar për Goulard, të cilën e njeh nga koha si ministre e Brendshme dhe se kishte llogaritur me miratimin e saj në parlament.

Irida Vasia

Top Channel