Tratativat mes trajnerit veteran Klaudio Ranieri dhe skuadrës së Sampdorias pësuan shumë oshilacione në javët e fundit, mes joshjes së teknikut për tu rikthyer në diskutim dhe kërkesave që skuadra nga Liguria i cilësonte të parealizueshme.

Por duket se kjo fundjavë ka sjellë akordin e shumëpritur që ka entuziazmuar tifozët, me shpresën se zbarkimi i ri në stol do rikthejë formacionin në kupat europiane.

Drejtuesit e Sampdorias dhe Klaudio Ranieri arritën të sheshojnë pengesat mes tyre dhe përveç se u sqarua situata teknike, u arrit edhe akordi ekonomik mes palëve. tashmë mbetet vetëm prezantimi në pankinën e ekipit italian.

Klaudio Ranieri kërkonte një kontratë dy vjeçare me të paktën 2 milionë Euro në sezon, por jo vetëm kaq.

Tekniku veteran që shkroi historinë me Lester Sitin në kampionatin anglez, para se karriera e tij të pësonte një rënie të ndjeshme, synon investime serioze nga klubi në merkaton e janarit, për të patur një kontigjent optimal.

Si për ironi të fatit pas pauzës prej ndeshjeve të kombëtareve, Ranieri do debutojë në shtëpi ndaj Romës, skuadra e zemrës që e shkarkoi. Sfumohet kështu pista që çonte ish trajnerin e Shqipërisë Xhani De biazi, në pankinën e Sampdorias.

Top Channel